Kuvendi miraton rezolutën për bisedimet me Serbinë
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga PDK-ja, e cila i jep dritën e gjelbër bisedimeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë.
Partitë opozitare, LDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosja nuk e kanë mbështetur rezolutën, me arsyetimin se propozimet e tyre nuk janë përfshirë.
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, si propozuese e rezolutës, deputeti Adem Grabovci tha se dy takime me opozitën kanë dështuar që të rezultojnë me harmonizimin e tekstit të saj, andaj u kërkua nga Kuvendi që të votohet versioni i propozuar nga PDK-ja.
Më herët, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj e cilësoi këtë dialog të dëmshëm për Kosovën. Po ashtu, edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes u pozicionua kundër bisedimeve.
Kurse grupi më i madh opozitar, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e ka mbështetur rezolutën, pasi që në tekstin e saj nuk janë përfshi propozimet e kësaj partie politike.
Rezoluta u tha se do t'i japë një rol shtesë Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të filluar të bisedimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Rezoluta përcakton “vijat e kuqe” për çka nuk duhet të bisedohet me Serbinë, dhe që Qeveria do të duhet t’i raportojë Kuvendit për rezultatet e bisedimeve, ose marrëveshjet eventuale.
Projekt-rezoluta kaloi me 63 vota për, 48 deputetë votuan kundër dhe një abstenoi.
Grupet parlamentare ende pa marrëveshje
Grupet parlamentare nuk kanë arritur, as sot, të harmonizojnë tekstin e rezolutës lidhur me bisedimet Kosovë - Serbi. Mbledhja e Kuvendit, e planifikuar për në ora 10, ka filluar me më shumë se një orë vonesë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabofci, ka thënë se do të bëhen përpjekje që gjatë ditës që të harmanizohet dhe gjithsesi të shtrohet në seancë e kjo çështje.
Grabofci është shprehur se në tekst janë përfshirë të gjitha kërkesat e opozitës, por sipas tij, janë disa çështje që duhet specifikohen veç e veç. Ai tha se nuk ka nevojë që të specifikohet në rezolutë që të caktohet çdo gjë se çka duhet të bisedohet dhe çka jo, por ajo çka është kryesore, është respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës, transmeton KosovaPress.
Kurse Ismet Beqiri, nga LDK, ka thënë se nuk është arritur harmonizimi, pasi nuk janë përfshirë qëndrimet e opozitës.
Nga ana tjetër, Ibrahim Makolli nga AKR-ja, e cila është në pushtet, së bashku me PDK-në, ka thënë se kjo projektrezolutë qarkullon në Kuvend që nga shtatori i vitit të kaluar, kur është miratuar rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Grabovci dhe Makolli thanë, ajo projektrezolutë ka qenë e harmonizuar nga grupet e atëhershme parlamentare, me të cilin ishin pajtuar LDK dhe AAK, por sipas tyre rrethanat e reja kanë krijuar situata të reja, pasi LDK nuk është më pjesë e pozitës, siç ishte më parë.
Afër pajtimit
Nga Valmir Klaiqi
Draftrezoluta e propozuar nga PDK’ja rreth dialogut me Serbinë është diskutuar në një takim të shefave të grupeve parlamentare, të mërkurën. Të gjithë, përveç Vetëvendosjes, kanë kontribuar në harmonizimin e rezolutës që pritet të jetë e gatshme sot dhe të votohet në Kuvend.
Të gjitha grupet parlamentare përveç atij të Vetëvendosjes kanë diskutuar të martën për harmonizimin e tekstit të projektrezolutës së propozuar nga PDK’ja në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Shefat e grupeve parlamentare do të takohen edhe një herë të mërkurën për të parë nëse Grupi parlamentar i PDK’së ka përfshirë në draft propozimet e tyre. Ky takim do të jetë i fundit për aprovimin e projektrezolutës dhe më pas do të nxjerrët për votim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka deklaruar të mërkurën për Express se draftrezoluta finale që do të procedohet të enjten në seancë, do të ketë mbështetjen e gjitha grupeve parlamentare, përveç Vetëvendosjes.
“Ftesës sonë i janë përgjigjur të gjithë shefat e grupeve parlamentare. I kemi dëgjuar propozimet e partive pjesëmarrëse për draftrezolutën e paraqitur nga PDK’ja. E them me përgjegjësi të plotë se propozimet e ardhura nga LDK’ja dhe AAK’ja kanë qenë në përputhje me brumin e paraqitur në draftrezolutën e PDK’së. Ka ndryshim në disa nuanca sa i takon interpretimit, por thelbi mbetet i njëjtë”, tha ai.
“Kjo po e vërteton qasjen tonë të partive politike se kur janë në pyetje interesat nacionale, ne do të jemi së bashku pozitë dhe opozitë. Përjashtim këtu bënë vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes, i cili ka qëndrim tjetër politik, pra është kundër bisedimeve”, tha Grabovci.
Edhe Aleanca Kosova e Re, si partnere e koalicionit qeverisës është në linjë të njëjtë me PDK’në, sa i përket draftrezolutës.
Në mbështetje të draftrezolutës ka dalë edhe partia më e madhe opozitare, LDK, edhe pse shefi i Grupit parlamentar, Ismet Beqiri ka kërkuar disa modifikime të saj, të cilat nuk bien në kundërshtim me draftin e parë të propozuar nga PDK’ja në seancën e kaluar.
“Ne kemi dhënë disa propozime të cilat kemi kërkuar të inkorporohen në Rezolutë.
Shohim të enjten se si janë futur dhe pastaj vendosim. Nuk mund të flas tani për propozimet, por ato do të shihen të enjten”, ka thënë Beqiri për Express duke shtuar se thelbi i propozimit të tyre është që për çfarëdo marrëveshjeje eventuale të arritur në bisedime, verdiktin final duhet ta japë Parlamenti i Kosovës.
Shefi i GP Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë të mërkurën në mbrëmje për Express se draftrezoluta e PDK’së thërret për një pranim aposteriori të negociatave tashmë të filluara me Serbinë.
“Ne jemi kundër kësaj rezolute për shkak se jemi kundër negociatave me Serbinë. Serbia ka shumë për t’ia shpaguar Kosovës si në rrafshin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik, shoqëror e kulturor, për të kaluarën e saj kriminale në Kosovë. Serbia e ka edhe të tashmen kriminale në Kosovë përmes strukturave të saj ilegale, të cilat e cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Por Serbia e ka edhe të ardhmen kriminale, meqenëse vazhdon ta mbajë Kosovën në Kushtetutën e saj si pjesë të pandashme të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”, ka thënë Ymeri.
T’i pranosh negociatat në këto kushte, sipas Ymerit, është t’ia falësh Serbisë të gjitha krimet, madje as pa kërkuar ajo falje.
Ai nuk ka dashur të flasë nëse edhe të enjten do ta paraqesin në seancë draftrezolutën e tyre.
“Do të shohim si do të procedojë seanca dhe si do të veprojmë ne. Një gjë është e qartë – ne nuk do ta votojmë asnjë rezolutë, e cila thërret për fillim të negociatave me Serbinë”, tha Ymeri.
Në seancën e së enjtes, përveç pikës për draftrezolutën për dialogun mes Kosovës e Serbisë, në rend dite do të jetë edhe pika për emërimin e kryesuesve të komisioneve parlamentare dhe anëtarët e tyre.
Grupet parlamentare i kanë dorëzuar emrat e deputetëve për këto komisione, ndërsa pritet që ata të zyrtarizohen nëpërmjet votimit formal.