Shifra alarmante të vetëvrasjeve
Në ditën ndërkombëtare të tyre, më 8 mars, katër femra kosovare kanë tentuar t`i japin fund jetës së tyre. Mënyrat se si kanë dashur ato ta kryejnë këtë akt, me litar apo duke pirë kimikate, kanë pak rëndësi.
Hallet e këtyre femrave, nga rajone të ndryshme të Kosovës si Vushtrri, Ferizaj apo Prishtinë, duket se nuk i dëgjon askush. Madje, as shumë prej organizatave joqeveritare, të cilat pretendojnë se u dalin atyre në ndihmë.
Policia e Kosovës thotë se vetëm gjatë këtyre tre muajve të fundit, numri i tentimit të vetëvrasjeve ka arritur në 23 raste. Në fakt, kjo shifër zyrtare nuk saktëson se sa janë femra e sa meshkuj, por marrë në përgjithësi, del se femrat i prijnë listës. Sipas zyrtarëve të rendit, katër persona kanë arritur të vetëvriten brenda këtyre tre muajve.
“Sipas nenit 146 të Kodit Penal të Kosovës, thuhet se kanë ndodhur 4 raste të vetëvrasjeve dhe 23 raste tentim vetëvrasje”, sqaron polici kapiten Brahim Sadriu.
Prof. Ass. Dr. Aliriza Arenliu, ekspert që merret me fenomenin e vetëvrasjeve, sqaron për Express dukuritë që shtyjnë personat të ndërmarrin këtë akt të rëndë.
“Vetëvrasjet janë një ndër fenomenet më komplekse, prandaj për shkak të këtij kompleksiteti, vështirë se mund të shpjegohet me thjeshtësi siç mund të jenë ndoshta fenomenet e tjera”, thotë ai. “Sidoqoftë, një gjë është e ditur se shkaqet të cilët ndikojnë janë shpesh ndërveprim i faktorëve socialë, psikologjikë dhe biologjikë”, sqaron eksperti Arenliu.
Ai thotë se nëse fokusohemi në kontekstin kosovar, duhet të merren parasysh 10 vitet e fundit, ku Kosova ka përjetuar luftë dhe duhet shtuar tranzicionin që qytetari i Kosovës është duke përjetuar në vazhdimësi në sfera të ndryshme, si në ato sociale, politike, e deri tek ajo familjare.
Pavarësisht kësaj, sipas tij, Kosova në krahasim me vendet e tjera të Evropës ka shkallë të ultë të vetëvrasjeve. Por kjo shkallë është duke ndryshuar për keq.
“Ky fakt nuk duhet të na ngushëllojë kur në 10 vitet e fundit në Kosovë është rritur 300 për qind (vlerësim me një margjinë të caktuar të gabimit) numri i vetëvrasjeve dhe fatkeqësisht numri është edhe më i madh kur flasim për tentim vetëvrasje”, thotë profesor Arenliu.
“Personat që tentojnë vetëvarjen kanë tri herë më shumë gjasa të kryejnë vetëvrasje në krahasim me njerëzit e tjerë, prandaj janë njëra ndër grupet e rrezikut të cilat kërkojnë vetëm vëmendje dhe ofrim të përkrahjes”, thotë ai.
Por ato që shpesh thirren si OJQ që merren me mbrojtjen dhe kujdesin e femrave në Kosovë, kur pyeten se çfarë bëjnë për këtë problem, i ikin dhënies së përgjigjes.
“Është çështje e rëndë dhe komplekse”, thotë njëra prej tyre.
Një tjetër, në vend se të tregojë punën e vet, jep numra kontakti se cilat OJQ të tjera duhet pyetur për këtë çështje. Ndërkohë, mesatarisht, brenda muajit, në Kosovë regjistrohen dy tentim vetëvrasje.
Fakte
Gjatë tremujorit të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur 23 tentim vrasje, prej të cilave një tentim vrasje e rëndë. Gjatë së njëjtës periudhë, katër persona kanë vdekur, kurse një rast tjetër është klasifikuar si vrasje e rëndë.