56 raste të reja me HIV/AIDS, mjekët:Duhet testim masiv
Numri i të prekurve nga HIV/AIDS në vendin tonë ka shënuar rekorde të reja. Vetëm për periudhën janar-maj 2013, janë identifikuar zyrtarisht plot 56 raste të reja, ndërsa në fund të 2012-ës ishin 555 të infektuar.
Sipas mjekëve infeksionistë, të cilët kanë dhënë alarmin për rritjen e numrit të prekurve, ka ardhur koha që në vend të kryhet testim masiv i popullatës për HIV/AIDS. Në një konferencë të përbashkët të mjekëve infeksionistë nga Shqipëria dhe Anglia, Arjan Harxhi, mjeku i njohur infeksionist në Shqipëri, ka deklaruar se më të rrezikuara janë moshat e reja, kryesisht ata nga 18-35 vjeç, për shkak edhe të sjelljeve seksuale të rrezikshme që ata kanë.
“Trendi është në rritje. Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 56 raste të reja. Duhet treguar vëmendje për këtë çështje. Shqiptarët, sidomos grupe që ne i konsiderojmë të rrezikshëm, tregojnë sjellje të rrezikshme seksuale. Testimi ofrohet në Shqipëri dhe duhet të jetë më i aksesueshëm”, – ka deklaruar Arjan Harxhi, mjek infeksionist./A.XH