58 mijë qytetarë aplikuan online për pension nga janari në tetor

Krahasuar me një vit më parë, rezultojnë 18 mijë aplikime më shumë, shifër kjo që reflekton rritjen e përdorimit të shërbimeve elektronike nga qytetarët dhe thjeshtimin e procedurave administrative.
Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga e-Albania, vetëm në periudhën janar–tetor 2025 janë regjistruar rreth 58 mijë aplikime, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i aplikimeve ishte rreth 40 mijë.
Kjo rritje dëshmon tendencën në rritje të qytetarëve për të përfituar shërbimet publike në mënyrë digjitale, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportele.
Platforma e-Albania ofron një procedurë të thjeshtuar për marrjen e pensionit të pleqërisë dhe atij suplementar. Nga 17 dokumente që kërkoheshin tradicionalisht, qytetarëve u duhet të ngarkojnë vetëm 3 dokumente përmes shërbimit online, duke kursyer kohë dhe shmangur burokracitë.
Rritja e përdorimit të shërbimeve elektronike po rrit efikasitetin e administratës, ndërsa i ofron qytetarëve më shumë lehtësi, transparencë dhe shpejtësi në përfitimin e të drejtave të tyre sociale.
/j.p/r.e/