E Hënë, 2 Nëntor 2026

580 milionë lekë për peshkimin në 2026, në fokus investimet dhe eksportet

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Sektori i peshkimit do të mbështetet me një fond prej 580 milionë lekësh në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 10,1% krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur sot se ky investim synon të përmirësojë infrastrukturën dhe kapacitetet e sektorit, me qëllim përputhjen e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe rritjen e prodhimit dhe eksporteve.

“Transformimi i sektorit do të realizohet përmes krijimit të tregjeve funksionale, modernizimit të qendrave të rasatit, rritjes së kapaciteteve në zonën e Butrintit, përmirësimit të infrastrukturës portuale, dhe rinovimit të flotës dhe akuakulturës”, deklaroi Salla.

Po ashtu, në fokus është edhe rritja e kapaciteteve njerëzore për të siguruar përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 13 (Peshkimi dhe Akuakultura) të bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Ministri gjithashtu informoi se investimet e huaja në sektorin e peshkimit janë rritur me 20%, duke arritur në 253 milionë lekë, nga 211 milionë lekë në vitin e kaluar.

Në përpjekje për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, sipas ministrit, fondi i pagave është rritur me 7%, duke arritur në 174 milionë lekë, nga 162 milionë lekë në vitin 2025.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›