INDONEZI – 18 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës

XHAKARTA, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Një valë katastrofash të lidhura me motin ka përfshirë Indonezinë gjatë javës së kaluar, duke prekur të paktën nëntë provinca dhe duke shkaktuar rrëshqitje, përmbytje dhe erëra shkatërruese, njoftoi sot agjencia kombëtare e katastrofave.
Sipas agjencisë humbja më e madhe e jetëve ndodhi në Javën Qëndrore, ku rrëshqitjet në dy distrikte lanë të paktën 18 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur.
Zona më e prekur ishte Banjarnegara, një distrikt malor ku ditë të tëra reshjesh të dendura dobësuan kodrat e paqëndrueshme të dielën. Ekipet e emergjencës nuk kanë arritur ende të disa vendbanimeve për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të reja.
Ky arkipelag i gjerë, i vendosur mes lartësive vullkanike, luginave të thella dhe vendbanimeve që po zgjerojnë shpejt, përjeton çdo vit qindra përmbytje dhe rrëshqitje toke. Zyrtarët dhe studiuesit thonë se këto rreziqe janë përkeqësuar nga shpyllëzimi, shndërrimi i tokave dhe reshjet më ekstreme, të lidhura me ndryshimet klimatike.
Agjencia e katastrofave BNBP raportoi gjithashtu erëra shkatërruese në Javën Perëndimore, ku një rrufe tornadë dëmtroi mbi 80 shtëpi dhe detyroi disa familje të kërkonin strehim tek të afërmit.
Përmbytjet e shpejta përfshinë disa zona të Sulawesi Veriore, duke prekur rreth 100 banorë para se u tërhoq uji. Përmbytjet në disa provinca të tjera vazhduan të shkaktonin vështirësi për komunitetet lokale, sipas agjencisë.
Agjencia meteorologjike e Indonezisë njoftoi se pritet të ketë reshje të vazhdueshme mbi ishujt kryesorë, përfshirë Sumatrën, Javën dhe Kalimantanin, gjatë dy ditëve në vijim./ /Ad.Ab./