E Diel, 1 Nëntor 2026

6 alpinistë shqiptarë në çatinë e botës, Everest, brenda 29 majit

Ekipi i alpinistëve të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, i cili synon të ngjisë majën Everest (8.848 m), përbëhet nga këta alpinistë të renditur sipas moshës e duke filluar nga më i riu:
Matheo Begeja; Erlin Rudho; Gerti Pishtari; Fation Plaku; Gjergj Bojaxhi; Xhimi Begeja. Ekipi i Alpinistëve ka qenë stacionuar dy herë në Kampin Bazë të Përparuar (ABC) në lartësinë 6.400 metra. Prej këtu ekipi i është nënshtruar në të dy herët procesit të aklimatizimit. Herën e parë ekipi është ngjitur deri në lartësinë 6.800 metra dhe jo më lart për arsye të kushteve të motit të papërshtatshëm. Herën e dytë ekipi i është nënshtruar përsëri procesit të aklimatizimit duke u ngjitur deri në lartësinë 7.400 m, me fjetje në një kamp të ngritur më sipër, në Kampin 1 (7.100 m). Ekipi nuk ka mundur të ngjitet më lart përsëri për arsye të motit të papërshtatshëm. Tashmë prej katër ditësh ekipi ndodhet në Kampin Bazë (BC) në lartësinë 5.000 m për çlodhje ose thënë ndryshe për të kaluar një periudhë kohe duke ushqyer organizmin me më shumë oksigjen. Zhvillimi i elementëve atmosferikë në lartësitë e malit Everest do e detyrojë  ekipin që të qëndrojë i stacionuar në BC deri më datën 19 (sipas parashikimit të motit). Më datën 20 parashikohet që ekipi të niset për të sulmuar majën. Çdo anëtar i ekipit do të jetë në të njëjtin litar pune/sigurimi me një alpinist sherp, anëtar i kompanisë Monark Mountain Adventures Nepal me të cilën kompani Shoqata jonë ka lidhur kontratë për udhërrëfyes. Në rrugën drejt majës ekipi do të kalojë nëpër këto kampe: Kampi i ndërmjetëm 5.700 m, Kampi Bazë i Sipërm (ABC) 6.400 m, Kampi 1: 7100 m, Kampi 2: 7700 m, Kampi 3: 8300 m. Prej këtu do të bëhet sulmi për në majë, gjë që parashikohet të ndodhë më datën 26 ose 27 Maj. Kur ekipi të arrijë në Kampin 3 do të ketë mundësi të flejë vetëm pak orë, përafërsisht nga mbasditja deri më ora 20:00. Kjo ngase si rregull nisja prej këtu bëhet më ora 21:00 ngaqë në Faqen Veriore të majës së Everestit nata është pa erë, por jo dita. Nga kjo faqe, e cila shtrihet në territorin e Tibetit Kinez, këtë vit parashikohet të tentohet ngjitja e majës Everest nga rreth 160 alpinistë të mbledhur nga disa shtete të botës. Ekipi beson se deri në lartësinë 7.700 apo 7.900  metra të gjithë do të munden të ngjiten. Ngjitja në lartësi më të madhe dhe arritja në majën e Everestit do të jenë sfida finale rezultatin e së cilës do ta mësojmë, besoj, brenda datës 29 Maj. Urojmë të ndodhë!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›