Për fituesit e FEDEORA’s

“Varrezat”, e Melanie Jilg
Filmi përfundon aty ku filloi, por me një dallim të madh: ndërkohë prezantohet sekuenca e ngjeshur me temën themelore, dhe me shumë skena që ndërtohen në një kontrapunkt audio-vizual.
Ky film shkollor/eksperimental ndërtohet në vetëm 49 sekuenca, të cilat në mënyrë indirekte zbulojnë kontrapunktin natyral dhe material, por edhe kontrapunktin e asociacioneve të cilave u jepet një rol i madh dramaturgjik.
Filmi i realizuar në bardh e zi fillon me kuadrin e gjatë të prerjes së bredhit me sharrë elektrike, dhe vazhdon me pikturën e Jezusit e Maries - e cila paraqitet si kontrapunkt në raport me atmosferën aktuale - dhe vazhdon me pastrimin e rrugëve nga bora – që zhvillohet në mënyrë të dyfishtë në relacionin sinkronike/asinkronike.
Ekspozicioni përfundon me narracionin direkt, ku për herë të parë përdoren fjala dhe dialogu, për të prezantuar dallimin mes fenomenit të jetës e të vdekjes, dhe simptomat që e dallojnë fillimin nga fundi. Të gjitha janë përshkruar me shumë thjeshtësi nga një mësuese e shkollës fillore karshi adoleshentëve – që nuk shihen.
Radhitja e narracionit indirekt vazhdon me hapjen e varrezave, përdorimin horizontal të bartjes në varreza, me kontrastet audio-vizuale me vetëm një lëvizje prapa të kamerës. Në fakt, kamera vazhdimisht zbulon detaje derisa përgatit befasinë për audiencën - kufomën e një stërgjysheje, trupi i së cilës duhet djegur me aprovimin e familjarëve.
Pas fjalëve dhe prezantimit të virtyteve morale nga një familjar, krijohet njëlloj klimaksi, që dëgjohet për herë të dytë dhe të fundit, duke i shtuar kështu filmit edhe një sipërfaqe integrale. Në këtë kontrapunkt natyral, komik është edhe komenti i ndeshjes futbollistike mes Beyernit e Manchesterit, e cila për vetëm një dakik na rikthen në realitetin e jashtëm, por edhe në një antidisponim të gatuar nga pakuptimi dhe hiqi.
Pas kthimit të familjarëve në ritualet ditore, çdo gjë përfundon me një lëvizje të koncentruar e të gjatë përpara – duke na e përshkruar dhe sugjeruar një botë të veçantë. Normalisht, edhe frikën e nivelit të përkujdesjes për të gjithë ata që ndërlidhen me një zbrazëti vizuale dhe me botën e heshtjes. Gjatë gjithë kohës, nënshkrimi i Melanie Jilg është ai që e shënjon gjithë filmin.
“Letër nga Gjermania”, nga Sebastian Mez
Koncepti unik i Mez dhe vetë trajtimi sensual i një teme të gjithëpranishme gjithsesi tërheq vëmendjen. Filmi fokusohet në përvojën e tri femrave evropianolindore (Robina, Blanka dhe Ileana), që braktisin shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Jetët e tyre ndërkohë dominohen nga dhembja dhe eksploatimi.
Këta tre zëra të ndryshëm sikur na i kthejnë sytë nga e kaluara, por, paralelisht, edhe na imponojnë tri kohë, tri emocione, tre zëra – personalisht, disa momente më aludonin në Franciois Truffaut.
Cikli i tregimit - që fillon me kamerë të zakonshme sigurimi dhe me kamerë të zakonshme dokumentare - nis në një katund të zakonshëm hungarez, vazhdon me tablo të ndryshme, dhe zhvillohet me zërin e njërës nga femrat që nisen për ‘gyrbet’...
Peizazhi, atmosfera idilike dhe heshtja përdoren në vazhdimësi, ndryshon vetëm kultura dhe urbanizmi. Tri biografitë e ndryshme në strukturë imponohen si analoge, dhe zhvillohen pa protagonistë - që në ekran zakonisht shihen në faza të ndryshme veprimi. Përdorimi i kamerës lëvizëse është modest. Në secilin tregim ajo përdoret vetëm si panoramë, duke krijuar një funksion estetik. Realiteti lokal në Hungari ndërkohë zhvendoset në Rumani, në një qytet të pashpirt, me ndërtesa uniforme e të degraduara, plot varfëri e dallime sociale. Edhe këtu, kamera zhvendoset në enterier dhe në panoramë, derisa plotësohet me zërin e mbyllur të femrës së dytë, plot frikë e shpresë.
Nga pamja e qytetit të pashpirt kalohet në kuadrot e përgjithshëm (në Sllovaki), që ilustrojnë varfërinë dhe infrastrukturën e shkatërruar, të trashëguar nga sistemi komunist. Zëri narrativ këtu dallon. Karakterizohet me një mllef e revoltë të thellë kundër eksploatimit të femrës, e kundër seksit të imponuar dhunshëm. Rrëfimi mund të definohet si një këndvështrim nga i cili deshifrohet e gjithë ngjarja, ndonëse shndërrohet edhe në një lajtmotiv të dominuar nga një kamerë e padukshme dokumentare.
Sekuenca e ikjes nga të tri shtetet, që fokus ka rrugën, përcillet me stop-kuadro bardh dhe zi, dhe me një kontrapunkt audio-vizual që ndërlidh komentin ‘off’ me kuadrin ‘black’, duke ilustruar kështu metaforën dhe gjendjen emotive të tri femrave, me plot dhembje psiko-fizike dhe sadizëm konstant. Kjo është edhe koha kur filmi bartet nga rruga në dhoma hoteli – konkretisht, në dhomën 211, ku audioefekti dominon mbi fotografinë, e stop-kuadri mbi strukturën narrative. Sekuenca në fund zbulon dallimin mes asaj që thuhet dhe asaj që shihet. Edhe pse të thyera deri në palcë, plot mllef e urrejtje, Robina dhe Blanka gjejnë mënyrën për të ikur nga dhoma e hotelit, dhe për t’iu bashkëngjitur familjeve, përderisa Ielana mbetet brenda – një ilustrim i qartë i pesimizmit, thyerjes psikike dhe tendencës për vetëvrasje.
Kamerat e sigurimit në epilog, për dallim nga prologu, paraqiten në formë mozaiku. Në çdo moment vërehen njerëz pa identitet e pa fytyra, që në kokën e shikuesit klasifikohen në nivelin individual. Për mua, ishte kjo një mënyrë tejet origjinale e portretizimit të urrejtjes, mosrespektit dhe nëpërkëmbjes së femrave, të zëna në grackën e trafikimit dhe eksploatimit seksual në Evropë.