E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

6 miliardë dollar për Mançester Junajtid

Klubi anglez i futbollit, Mançester Junajtid, po negocion mundësinë e dhënies së ekskluzivitetit konsorciumit të udhëhequr nga Sheiku Xhasim bin Hamad al-Thani të Katarit, që mund të çojë në shitjen e tij për më tepër se 6 miliardë dollarë, ka raportuar të enjten agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters”, duke iu referuar burimeve pranë këtyre bisedimeve. Anëtarët e familjes Glejzërs, që është aksioner në minorancë tek Mançester Junajtid, por e kontrollon atë falë strukturës së dyfishtë të aksioneve, do t’i shesin këto aksione, në bazë të marrëveshjes së propozuar, raportojnë burimet në fjalë.

Oferta e Katarit vlerësohet hëpërhë si më e favorshme nga familja Glejzërs, krahasuar me tatë të miliarderit britanik, Xhim Retklif, themeluesit të kompanisë së produkteve kimike, INEOS, sqarojnë më tej këto burime. Oferta e  Ratklifit parashikon që familja Glejzërs të mbetet e përfshirë tek Mançester Junajtid, që vlerësohet gjerësisht si një nga asetet më të çmuara në botën e sportit në përgjithësi. Një marrëveshje me vlerë 6 miliardë dollarë do ta bënte atë një nga më të mëdha ndonjëherë në historinë e sportit, pas një marrëveshje të ngjashme për shitjen në fillim të këtij viti që skuadrës së futbollit amerikan, Uashington Komendërs.

Vlera e aksioneve të Mançester Junajtid në bursë u rrit me thuajse 15% pas këtyre lajmeve, duke vijuar të stabilizohej në kuota të shtuara fitimi. Mançester Junajtid nuk do të lejohet të negociojë të tjera oferta, përveç, asaj të Sheik Xhasimit për këtë periudhë eksluziviteti, ndërsa nuk dihet ende sa do të zgjasë ajo. Përtej kësaj, burimet e “Reuters”-it kanë paralajmëruar se situata mbetet ende e paqartë dhe një ofertë e re nga Ratklifi mund ta parandalonte Sheik Xhasimin që të siguronte eksluzivitetin.

As përfaqësuesit e Mançester Junajtid dhe as ata të Sheik Xhasimit nuk kanë reaguar mbi raportimet e bëra nga Agjencia e Lajmeve “Reuters”, ndërsa duhet theksuar klubi anglez është i 4-ti më pasuri në botë, sipas një analize të kompanisë “Deloitte”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›