E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 VJET DIPLOMACI - Zv.kryeministri kinez në Tiranë

TIRANË- Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka pritur sot në një takim homologun e tij kinez Zhang Dejiang me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë.
"Marrëdhëniet e shkëlqyera shumëplanëshe mes dy vendeve tona, veçanërisht në planin politik dhe ekonomik, janë rritur dhe do të zhvillohen në nivele më të larta. Shqipëria e konsideron Republikën Popullore të Kinës një partnere shumë të rëndësishme në planin politik dhe ekonomik global"- tha Meta.
Në takim u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok, kryesisht në planin politik, ekonomik, kulturor dhe akademik. "Qeveria shqiptare do të vazhdojë t'i përmbahet qëndrimit të saj të palëkundur për njohjen e një Kine të vetme: Republikën Popullore të Kinës"- tha Meta.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri kinez ka shprehur gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve. "Të dy kombet, do të përpiqen të konsolidojnë dhe forcojnë marrëdhëniet politike mes dy vendeve tona dhe të forcojnë edhe bashkëpunimin ekonomiko-tregtar si dhe shkëmbimet në fushat kulturore, arsimore, turizmit dhe fushave të tjera. Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimit, ne ramë dakord edhe për ndërmjetësimin dhe koordinimin në çështjet e politikës së jashtme"- tha ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›