60 për qind e lindjeve me operacion
Planifikimi familjar dhe tendenca për të lindur 1-2 fëmijë shoqërohet edhe me kërkesa për të lindur me operacion dhe jo në mënyrë natyrale. Sipas të dhënave që vijnë prej maternitetit të Fierit, si dhe statistikave të mbajtura në Drejtorinë e Shëndetit Parësor konfirmohet se 60% e nënave të reja i sjellin në jetë fëmijët e tyre me operacion dhe jo falë një lindjeje normale. Ndërsa mjekët gjinekologë të shtëpisë së lindjes në Fier shprehen se me gjithë rastet që nuk i shpëtojnë operacionit janë nënat e reja ato që zgjedhin këtë rrugë për lindjen e fëmijës së tyre dhe që kanë shtuar së tepërmi numrin e lindjeve me operacion. Kështu, nga më shumë se 780 lindje që janë regjistruar në shtëpinë e lindjes Fier për këtë vit, rreth 390 janë realizuar falë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjinekologët më të vjetër të Fierit tregojnë se "dembelizmi" i nënave të reja, por edhe përfitimi që merr sot një gjinekolog që kryen lindje me operacion janë dy faktorët kryesorë të shtimit të numrit të lindjeve jo të zakonshme. Gjithashtu, edhe mungesa e shërbimit të dikurshëm për nënat e reja, ai konsultor, shihet si një shkak më shumë për shtimin e lindjeve me operacion. Shumë nga gratë që i janë nënshtruar operacionit për lindjen e tyre kanë treguar se "tarifa" që kanë paguar te mjekët shkon nga 15 mijë-22 mijë lekë të reja. Kjo tarifë nuk ndryshon edhe në rastet kur gruaja vendos të lindë vetë, por në momentet e fundit nuk premton lindjeje normale dhe është e detyruar të lindë me operacion. Por ka edhe raste që kandidatet për nëna vendosin edhe ditën e lindjes me anën e operacionit me mjekun gjinekolog që kanë qenë të lidhura gjatë periudhës së shtatzënisë. Duhet thënë gjithashtu se për këtë vit është ulur ndjeshëm numri i lindjeve.