E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në arsim, internet edhe në fshat

Reforma në arsimin fillor, të mesëm dhe në institucionet e arsimit të lartë, ka nisur dhe po vazhdon me sukses. Këto kanë qenë deklaratat e djeshme në konferencën e programit vjetor të reformës arsimore, nga drejtuesi i shkencës, Fatos Beja.

"Gjatë këtyre muajve, përpjekjet tona janë fokusuar posaçërisht në ristrukturimin e arsimit bazë dhe të mesëm, duke realizuar kalimin nga arsimi i detyruar 8-vjeçar në atë 9-vjeçar, me ristrukturim të cikleve brenda tij, dhe nga arsimi i mesëm 4-vjeçar në atë 3-vjeçar", tha ministri Beja.

Sipas tij, arsimi është duke kryer një reformë të thellë e të gjithanshme të sistemit të mesëm, të lartë, e cila nuk kufizohet thjesht në ndryshimin e numrit të viteve shkollore.

Ministri ka referuar se lidhja e kontratës për 665 laboratorët e rinj dhe mbyllja në ditët e ardhshme e kontratës për internetin, bashkë me masat organizative të marra, do të bëjë që në javët e muajin e ardhshëm jo vetëm gjimnazet dhe 9-vjeçaret e qyteteve, por të gjitha shkollat e Shqipërisë të kenë kushte më të mira.

Reforma e gjimnazit është njëra nga reformat e shkollës së mesme të lartë. Por, po aq e rëndësishme është reforma e kurrikulës së arsimit profesional dhe atij social-kulturor. Përgatitja dhe dërgimi së shpejti për miratim i ligjit të ri për arsimin profesional do të sjellë një nxitje të re të këtij shkollimi të domosdoshëm tashmë për nevojat e tregut në Shqipëri.

"Cilësia e mësimdhënies në universitetet tona dhe ajo që është edhe më domethënëse, e diplomave të dhëna, ngelet një gur prove jo vetëm për secilin universitet, publik dhe privat, por edhe për të gjithë aktorët e arsimit të lartë në Shqipëri. Ne jemi të vendosur që në muajt e ardhshëm ta bëjmë këtë një nga prioritetet e punës së arsimit", përfundoi ministri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›