60 tarifat e Bashës, një bujë mediatike e ngritur mbi një hiç
Bashkia e Tiranës ndërtoi ditët e fundit një fushatë të tërë, duke mobilizuar gazeta, gazetarë, komentatorë, biznesmenë, etj, për të bërë të dukshme një ndërmarrje tepër të suksesshme që ka të bëjë me heqjen e 60 taksave e tarifave, që kanë përbërë një barrë fiskale për qytetarët e Tiranës. Është e vërtetë? Po, në pikëpamje numerike është e vërtetë. Janë hequr një numër i madh tarifash, ca prej të cilave po ua numërojmë më poshtë: 1. tarifa e shërbimit arkivor; 2. tarifa për shërbimin e strehimit; 3. dhënie çertifikate për transport mallrash apo pasagjerë; 4. leje shërbimi tej kohës normale të punës; 5. tarifa e Inspektoriatit Urban; 6. tarifa e Inspektoriatit Veterinar; 7. Tarifa për lëshim vërtetimi banor lagjeje; 8. Tarifa për dhënie autorizimi për pensionistët; 9. vërtetimi-deklaratë për marrjen e kompensimit për personat e punësuar në shtet që kanë pjesëtarë familjeje pa punë; 10. tarifë për regjistrim fillestar në biblioteka; 11. tarifa Qendra kulturore Tirana; 12. hyrja për shfaqjet e cirkut të organizuara për kopshte; 13. tarifa Klubi Sportiv Tirana; 14. përdorimi i fushave të tenisit; 15. tarifa e përdorimit të fushave të basketbollit; etj, etj, deri në numri 60.
Ca prej këtyre tarifave janë surreale, e nuk merret vesh se cili idiot i ka vënë apo formuluar (p.sh. tarifa për leje shërbimi tej kohës normale të punës!!!), dhe në këtë kuptim është bërë mirë që janë hequr. Po kështu është bërë mirë, ndoshta, që janë hequr dhe tarifa të tjera që sjanë përmendur më sipër prej meje. Dhe në këtë kuptim, problemi sështë këtu. Problemi është tek buja e pakuptimtë, dhe tek shitja e këtij aksioni minor me ndikim qesharak në jetën e qytetarëve (vlefta e këtyre tarifave është fare simbolike, dhe çështë më e bukura, janë tarifa që nuk rëndojnë mbi të gjithë, por rëndojnë mbi shtresa e kategori të caktuara që zënë sipas rastit 1-2% të popullsisë) si një aksion i përmasave historike. Kjo masë e marrë prej bashkisë, është aq e parëndësishme, sa do duhej të kalonte pa zhurmë fare. Është turp të ngrefosesh, e tu çash daullet e veshit njerëzve, me një çikërrimë të tillë.
Ndonjërin që thotë se heqja e këtyre tarifave ka rëndësi, Lulzim Bashën sidozot, e ftoj të më thotë se sa përqind e të ardhurave të bashkisë mblidhej prej këtyre tarifave (1%? Apo 2%? Më shumë jo); e ftoj gjithashtu të më thotë se sa përqind e banorëve të Tiranës ndëshkoheshin prej këtyre tarifave (sa vetë kanë paguar një tarifë të shërbimit veterinar, fjala vjen?); e ftoj të më thotë në fund, se sa është ulur praktikisht barra fiskale prej kësaj ndërhyrjeje të Bashës? Sa pará pra i ka paguar secili qytetar bashkisë së Ramës, e sa do ti paguajë secili qytetar bashkisë së Bashës pas heqjes së këtyre tarifave? Pse nuk na i japin këto shifra?
Respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2011/10/15/60-tarifat-e-bashes-nje-buje-mediatike-e-ngritur-mbi-nje-hic