E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 vjet pune të muzeut të qytetit

Përfaqësues të institucioneve lokale e të vendit, diplomatë të huaj, ekspertë, dashamirë dhe qytetarë të shumtë, kanë marrë pjesë të premten në manifestimin kushtuar 60-vjetorit të themelimit dhe punës të Muzeut të qytetit të Mitrovicës.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, pasi ka përgëzuar punonjësit e Muzeut për punën e mirë që kanë bërë deri tash, ka thënë se është i informuar mirë për të gjitha vështirësitë me të cilat po ballafaqohet në punën e përditshme ky institucion me rëndësi i komunës.

Ai i ka njoftuar se komuna ka përgatitur planin ideor të ndërtesës së re të Muzeut, që do të ndërtohet në vendin e ish-shtëpisë së kulturës “Kej Lushta”.

“Do të bëjmë çmos që këtë projekt ta realizojmë sa më shpejtë që është e mundur, sepse Mitrovica me specifikat e veta që i ka, mund t’ju ofroj të interesuarve vlera të shumta e të ndryshme muzeale.

Ndërkaq, ambasadori i Francës në Prishtinë, Zhan Fransua Fitou, ka thënë se mitrovicasit duhet të jenë krenarë që jetojnë në qytetin më specifik të Kosovës, ku historia, fatkeqësisht, nuk ka qenë gjithherë e mirë dhe e këndshme.

“Mitrovica ka vuajtur shumë më shumë se sa qytetet tjera të Kosovës, por ajo ofron shumë më tepër se qytetet tjera vlera kulturore, që janë tejet të rëndësishme për njeriun”, ka thënë ai.

Fitou tha se mitrovicasit duhet t’i kultivojnë vlerat kulturore, sepse pa këto nuk mund as ta zhvillojnë qytetin e tyre dhe që të vizitojnë sa më shumë muzeun, ku ruhen vlera të shumta muzeale, kulturore që e pasurojnë jetën e njeriut.

Jehona Shyti, këshilltare e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se Muzeu i Mitrovicës gjithmonë ka ruajtur vlera të mirëfillta kulturore dhe se ka qenë mjaftë aktiv, e sidomos kohëve të fundit.

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut të Qytetit, Hajrullah Mustafa, tha se që nga themelimi i tij më 1952, Muzeu i Mitrovicës i ka ushtruar me përgjegjësi detyrat që i janë besuar. Pasi ka folur për kushte të vështira në të cilat aktualisht punon Muzeu, Mustafa ka thënë se në Muze funksionojnë disa sektorë. Ndër sektorët më të rëndësishëm ai përmendi atë të arkeologjisë me mbi 1.000 eksponate, pastaj sektorin e etnografisë me mbi 800 eksponate, sektorin e historisë, ku ruhen shumë dokumente të rëndësishëm etj. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›