E Hënë, 2 Nëntor 2026

65-vjetori i Televizionit Shqiptar, rrëfimi i ndjerë i ikonës Tefta Radi: Një jetë mes pasionit, sfidës dhe përkushtimit

Me rastin e 65-vjetorit të Televizionit Shqiptar, një nga figurat më të dashura dhe të respektuara të ekranit publik, gazetarja dhe prezantuesja Tefta Radi, ka ndarë emocionet dhe kujtimet e saj nga Australia, ku jeton prej vitesh.

E njohur për zërin e saj karakteristik dhe profesionalizmin që e ka shoqëruar për dekada, Radi kujtoi me nostalgji rrugëtimin në RTSH, duke e cilësuar atë si një institucion që u bë “shtëpi e dytë” për shumë gazetarë e artistë.

“Bashkë me kohën ka ecur edhe Televizioni Shqiptar, sepse zhvillimi nuk njeh ndalje. Radio-Televizioni në atë kohë ishte dashuri, pasion, por edhe vështirësi. Ishim pa informacion dhe pa teknologji si sot, dhe duhej të ishim shumë të kujdesshëm, sidomos gjatë viteve të diktaturës, ku ‘syri i fshehtë’ na vëzhgonte”, u shpreh Radi.

Në një rrëfim personal dhe prekës, ajo ndau kujtime të çmuara nga karriera e saj. Ndër momentet më të paharrueshme për të, mbetet intervista me Nënë Terezën, zhvilluar në gusht të vitit 1989 në “Vilën 31”, si dhe raportimi gjatë krizës së vitit 1997, të cilin e përshkruan si emocionalisht shumë të ngarkuar.

“Jam munduar të krijoj identitetin tim si gazetare dhe të jem e besueshme. Mbështetja më e madhe ka qenë bashkëshorti im, Franci, pjesë e orkestrës së RTSH-së. Së bashku i kemi dhënë institucionit 64 vite punë”, tha Radi.

Radi vlerësoi rolin formues të RTSH-së në historinë mediatike shqiptare, duke theksuar se shumë prej emrave që më vonë ndërtuan televizionet private, dolën nga gjiri i këtij institucioni.

“Një armatë e tërë edhe pas nesh në vitet ’90 që bënë emër dhe krijuar profilet e tyre duke çuar më pas eksperiencën në televizionet private. Të gjitha televizionet private u formuan nga ajo plejadë që kishte ardhur nga Televizioni Shqiptar”, tha Radi.

Në mesazhin e saj për brezin e ri të gazetarëve dhe krijuesve të ekranit, ajo theksoi se “vullneti, pasioni, sakrifica janë themeli. Duhet të mësoni vazhdimisht. Media është një mision që kërkon përgjegjësi dhe përkushtim.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›