Ende mister arsyeja e ndërprerjes së energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali, transporti publik në kaos

Dëmtimi në sistemet elektrike të Spanjës dhe Portugalisë duket se është riparuar pas ndërprerjes më të keqe të energjisë në historinë e tyre, e cila i paralizoi dy vendet, por shkaqet mbeten ende një mister. Autoritetet kanë dhënë pak shpjegime se çfarë e shkaktoi ndërprerjen.
Pavarësisht se energjia elektrike është rikthyer në të dy vendet, transporti është ende në kaos, ku raportohen vonesa. Megjithëse qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë këmbëngulin se nuk kanë prova të një sulmi kibernetik, gjykata supreme e Spanjës po nis një hetim për sabotim të mundshëm.
Operatori spanjoll i sistemit elektrik REE (Red Electrica de Espana) përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik. Kryeministri Pedro Sánchez tha se teknikët ishin ende duke u përpjekur të gjenin shkakun e saktë të kolapsit dhe rezultatet e hetimeve të tyre do të përdoreshin për të forcuar sistemin.
“Ajo që ndodhi dje nuk mund të ndodhë më kurrë,” theksoi ai.
Operatori spanjoll i sistemit e lidh ndërprerjen e gjatë me fotovoltaikët për shkak se problemi fillestar ndodhej në jugperëndim të Spanjës në rajonin e Extremadura, ku ka prodhim të konsiderueshëm energjie nga fotovoltaikët. Extremadura është një nga rajonet me kapacitetin më të lartë të prodhimit fotovoltaik në Spanjë.
Në veçanti, REE tha se kishte identifikuar dy incidente të humbjes së prodhimit të energjisë, ndoshta nga stacionet diellore, në pjesën jugperëndimore të Spanjës, të cilat shkaktuan paqëndrueshmëri në sistemin e energjisë elektrike dhe çuan në ndërprerjen e ndërlidhjes së saj me Francën.
Spanja është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë së rinovueshme në Evropë dhe ndërprerja e energjisë ka ndezur debat nëse paqëndrueshmëria e furnizimit nga energjia diellore ose e erës i ka bërë sistemet e saj të energjisë më të prekshme.
Gjykata e Lartë e Spanjës tha se do të hetojë nëse infrastruktura energjetike e vendit ishte goditur nga një sulm terrorist dhe kryeministri Pedro Sánchez tha se qeveria e tij nuk përjashtonte asnjë mundësi.
“Ne nuk duhet të nxitojmë në përfundime dhe të bëjmë gabime,” tha Sánchez.
Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm i Portugalisë, Luis Montenegro, tha se qeveria e tij i kishte kërkuar Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë të kryejë një auditim të pavarur të ndërprerjes. “Ne duam një hetim të plotë për shkaqet e ndërprerjes. Ne kemi nevojë për përgjigje të shpejta dhe urgjente”, tha ai në një konferencë shtypi.
/rtsh.al/