E Diel, 1 Nëntor 2026

685 trupa amerikane zbarkojnë nesër në Durrës

DURRES - Nesër më 24 prill hyn në portin e Durrësit të Shqipërisë, anija ushtarake zbarkuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës "USS GUNSTON HALL" (LSD-44) e cila do të qëndrojë deri në 27 prill 2012.

Qeveria Shqiptare nxori vendimin më 18 prill 2012, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, që me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, të vendosë lejimin e hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake amerikane, të përbërë nga 685 trupa, ekuipazh i anijes ushtarake zbarkuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës "USS GUNSTON HALL" (LSD-44) për periudhën 24 prill 2012 deri në 27 prill 2012.

Sipas këtij vendimi, hyrja, qëndrimi dhe dalja e forcës ushtarake amerikane bëhet në portin e Durrësit.

Qëllimi i qëndrimit të përkohshëm të kësaj force ushtarake amerikane në vendin tonë, thuhet në vendimin e qeverisë, është për vizitë portuale.

Trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre, "Mbi statusin e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë", nënshkruar në Tiranë më 31.3.2004, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.9246, datë 24.6.2004.

Gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë trupat amerikane do të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›