70% të prekur nga sindroma e “syrit të thatë”, shkaku: sëmundjet kronike, ndotja dhe teknologjia

Në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në kryeqytet, një zonjë ka ardhur të ankohet për djegie dhe skuqje të syve, gjë që ia ka vështirësuar shumë shikimin.
Okulistja Zana Zhuka tregon shkaqet pse e moshuara ka këto simptoma.
“Ke gërvishtje, ke skuqje të syrit, nuk e ndien syrin rehat… Shkaku i këtij syrit të thatë, sipas pyetjeve që të bëra, ishte reumatizma, se më the që jam me artrit,” i thotë Dr. Zhuka.
70 për qind e popullsisë në botë vuan nga sindroma e “syrit të thatë”, një sëmundje kronike, që ul cilësinë e jetës dhe kërkon trajtim të vazhdueshëm. Kjo sindromë shfaqet kryesisht pas të 30-tave.
“Simptomat që ndiejnë pacientët janë tharje e syrit, ndjesia e rërës ose e zhavorrit në sy, sepse nuk lubrifikohet mirë xhami i syrit. Ka skuqje, dhimbje, djegie të syrit dhe personat që e kanë nuk kanë një jetë profesionale të qetë,” tregon mjekja okuliste.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sindrome janë shumë.
“Faktorët fillojnë që nga sëmundjet kronike, si diabeti dhe artriti, më pas mosha e menopauzës të gratë e deri tek faktorët e jashtëm, si ndotja e ajrit dhe përdorimi i tepruar i mjeteve të teknologjisë pa syzet mbrojtëse apo orët e zgjatura para kompjuterit,” shpjegon Dr. Zhuka.
Diagnostikimi bëhet përmes testit Schirmer dhe ndihmon në trajtim.
“Testi Schirmer tregon sa milimetër laget shiriti nga loti në 1 minutë kohë. Kështu kuptojmë se sa lot prodhohet nga syri,” thotë okulistja.
Mjekja rekomandon të kufizohet koha para mjeteve të teknologjisë dhe të përdoren medikamentet e duhura, pa konservantë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/