E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhurimi vullnetar i gjakut, mjekja Temali: Mjaft i nevojshëm për spitalin e Shkodrës

Organizata “Alternativa Studentore” në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Spitalin Rajonal Shkodër dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, organizoi një seancë të posaçme dhurimi gjaku në mbështetje të Bankës së Gjakut të Spitalit Rajonal Shkodër.

Kjo nismë humanitare ka për qëllim të ndihmojë pacientët që kanë nevojë për gjak, të promovojë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar dhe të krijojë një frymë solidariteti e përgjegjësie qytetare brenda komunitetit universitar dhe më gjerë.

“Kjo nuk është hera e parë që bëjmë dhurim dhe nuk do të jetë as hera e fundit. Të paktën që nga viti 2021 bëjmë dhurime sporadike dhe tash e tutje do të jenë vetëm për Spitalin Rajonal Shkodër,” tha Durim Komi nga “Alternativa Studentore”.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të aksidenteve, të patologjive të ndryshme kirurgjikale apo gastrointestinale, që kanë nevoja të mëdha për gjak dhe që aktualisht mbulohen vetëm me dhurimin vullnetar, ky është një event i rëndësishëm për të cilin ka nevojë Spitali Rajonal i Shkodrës. Për këtë i përgëzojmë organizatorët, këta të rinj që kanë ardhur për të dhuruar gjak,” u shpreh mjekja e poliklinikës, Kristi Temali.

Banka e Gjakut në Shkodër është në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e qytetarët për të siguruar sa më shumë njësi gjaku, të cilat janë mjaft të nevojshme për operacionet e ndryshme apo edhe për fëmijët talasemikë.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›