70 vjeçarja që jeton në rrugë e braktisur nga fëmijët dhe shteti
Speciale Njerëz në Udhëkryq
Është rubrika më e re që do të vazhdojë në Tirana Observer, dhe që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptareNëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi. Rrëfeni në rubrikën tonë, që të gjithë bashkë ti vihemi kundër fenomenit të shëmtuar të dhunës. Sot ne do të publikojmë, jetën e vështirë dhe dramën e një gruaje të moshuar që endet rrugëve të kryeqytetit për të lypur para në mënyrë që të mbijetojë pasi prej 15 vitesh është e braktisur nga 9 fëmijët e saj. Por jeta e të moshuarës ka qenë në luftë të vazhdueshme pasi përpos varfërisë dhe skamjes që duhet të përballet çdo ditë ajo është edhe invalide pasi është operuar nga të dy sytë, dhe është thuajse e verbuar. Fatkeqësia më e madhe e 70 vjeçares, është dhimbja e madhe me të cilën ajo është e detyruar të jetojë ditë pas dite pasi të nëntë fëmijët e saj, vajzat dhe djemtë e kanë braktisur që prej 15 vitesh duke mos e takuar për të gjithë këtë periudhë, madje duke e mos telefonuar asnjëherë. Në një rrëfim të dhimbshëm për gazetën 70 vjeçarja Lumturi Lame i bën një apel të drejtpërdrejtë fëmijëve të saj, kudo që jetojnë në shtete të ndryshme që të bashkohen me të, që edhe ajo të mund të ti jetojë e lumtur dhe e qetë edhe vitet që i kanë mbetur. E moshuara i bën thirrje gjithashtu edhe autoriteteve shtetërore që ti mundësojnë asaj një shtëpi ose një dhomë pa pagesë duke e ndihmuar që ajo mos të detyrohet të flejë rrugëve. Nëse edhe ju keni një histori të ngjashme, të tuajën apo të dikujt që është i afërmi juaj mos nguroni. Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserer@gmail.com. Ju mirëpresim!
****
70 vjeçarja invalide që lyp e fle në rrugë prej 15 vjetësh
Lumturi Lame: Jetoj e braktisur nga fëmijët dhe nga shteti
Lumturi Lamen të moshuarën që jeton e braktisur nga 9 fëmijët e saj e takojmë në afërsi të Kishës Ortodokse. E ulur përtokë, me dy sytë e fashuar 70 vjeçarja zgjat duart drejt kalimtarëve për të kërkuar lëmoshë. Prej 15 vitesh ajo jeton e vetmuar dhe fle ku ta zërë nata në ndonjë strehë, pasi edhe një dhomë që e ka pasur disa vite më qera tashmë e ka lanë për shkak se nuk e përballon dot. E sëmurë prej vitesh gruaja e moshuar në një intervistë për gazetën Tirana Observer i bënë apel Bashkisë së Tiranës, që ta ndihmojë me një strehë ku të mundet të jetojë e qetë. Ndërsa pengu më i madh i jetës së saj është takimi për herë të fundit me fëmijët e saj.
Prej sa vitesh lypni në rrugë, nënë e sa fëmijëve jeni?
Kam 15 vite në rrugë, kam 9 fëmijë por asnjë prej tyre nuk e ka parë që prej vitit 1997 me përjashtim të një prej vajzave me të cilën flas në telefon vazhdimisht. Jam zemër nëne më digjet shpirti për fëmijët e mi por nuk i mallkoj dot se jam e gatshme të jap jetën për ata edhe pse më kanë harruar e më kanë lënë në mes të rrugës. Kam 3 vajza dhe 6 djem dhe secili jeton jetën e tij, kam që në vitin 1997 pa ju dëgjuar zërin është e pabesueshme ndoshta njerëzit do të mendojnë se kjo është një çmenduri por ja që ndodh edhe kështu. Të kesh 9 fëmijë e të dalësh të lypësh në rrugë për të mbajtur frymën gjallë. Jetoj rreth 20 orë të ditës duke lypur në rrugë, dhe gjithçka që blej më del vetëm sa për tu ushqyer e për të blerë disa ilaçe për tensionin.
Sa e vështirë është jeta juaj duke qenë edhe invalide?
Duke qenë në rrugë, e duke mos u kujdesur për veten fillimisht kisha shqetësime prej syve dhe kur kam shkuar në spital më thanë që duhet të operohesha në mënyrë urgjente ika nga spitali pasi nuk kisha para. Më pas më ndihmoi një mjek që ishte njeri shumë i mirë, punonte në një klinikë private i erdhi keq për mua pasi isha njeri pa njeri dhe më operoi pa para. Që prej dy vitesh shkoj vetëm sa ndërroj fashon në urgjencë se disa herë më është infektuar pasi nuk e kam mjekuar. Kam aplikuar disa herë për pension invaliditeti dhe nuk marr asnjë ndihmë nga asnjë institucion shtetëror, ndaj e kam shumë të vështirë të mjekohem.
Çfarë apeli keni për Bashkinë e Tiranës çfarë ndihme kërkoni?
I bëj apel strukturave shtetërore që ta ndihmojnë për të më dhënë një asistencë që të mund të blej të paktën ilaçet. I bëj thirrje të gjithë biznesmenëve, apo personave që kanë dhembshuri për një zemër nëne të braktisur, të më ndihmojnë të bëj pasaportën që të mund të shkoj të jetoj me nipin tim në Greqi pasi e shoh që spo mundem dot më të jetoj në rrugë. Paratë që nxjerr nga lypja në rrugë më mjaftojnë vetëm të blej një copë bukë dhe asgjë më tepër, jam invalide dhe një prej syve e kam të verbuar kam operuar syrin tjetër prej disa muajve dhe nuk kam para të shkoj ta mjekoj, kjo është gjendja ime kush të ketë zemër të më ndihmojë.
Si keni përfunduar në rrugë, mund të na rrëfeni diçka nga e kaluara juaj?
Historia ime e lypjes ka nisur që kur isha e vogël pasi jam rritur në Jetimoren e Korçës. Atje jam rritur bashkë me fëmijët e tjerë dhe që në atë kohë dilja e lypja fshehurazi që të kisha para më vete. Më pas u martova e re me një burrë i cili më ka keqtrajtuar gjithë jetën, më të i kam dhe nëntë fëmijët e mi, që sot më kanë braktisur dhe e kanë lënë nënën e tyre të vuajë për bukën e gojës e të mundohet rrugëve. E vetmja dëshirë e imja është të largohem nga Shqipëria sepse më ka ofruar ndihmë dhe strehë nipi im, që të jetoj me familjen e tij, por nuk kam para të bëj pasaportën ndaj bëj apel për ndihmë. Nuk dua të lyp në rrugë por ku të shkoj kam shkuar disa herë në bashki e kam qëndruar me orë të tëra për të folur me drejtuesit e bashkisë. Ndaj i bëj thirrje bashkisë dhe zyrës së strehimit të mendojnë seriozisht për të më ndihmuar, pasi jam e braktisur, nëse nuk ju dhimbsem fëmijëve të mi, atëherë të vejë dorën në zemër shteti dhe të më ndihmojë me një dhomë të vogël e me një asistencë që të paktën të mos dal sërish të lyp.