Urdhër i ri për mësuesit, master shkencor për provimin e shtetit
Asnjë mësues i arsimit fillor nuk mund të hyjë në provimin e shtetit pa kryer një master shkencor. Ky është një kriter i ri i kërkuar nga autoritetet e arsimit. Arsimtarët duhet të kenë mbaruar patjetër këtë cikël studimesh pavarësisht se mund të kenë kryer një vit praktikë.
Urdhri
Ky është urdhri më i fundit i ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, ndërkohë që nuk do të mungojnë testimet edhe për mësuesit që kanë mbaruar sistemin e vjetër katërvjeçar. Këtë vit janë shtuar edhe disa profile të tjera (për të dhënë provimin e shtetit), thonë përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve(AKP), si gjuha gjermane dhe ajo greke krahas mësuesve të fillores. “Në arsimin fillor kemi katër deri pesë kandidatë të cilët janë sipas sistemit të integruar, ndërkohë që ata të sistemit të ri do të futen vitin tjetër në provim sepse me urdhër të ministrit mësuesit e arsimit fillor do të jenë vetëm me master shkencor, jo me master profesional,” tha dje në media Niko Terezi, specialist në AKP.
Provimi i shtetit
Këto ditë i janë nënshtruar provimit të shtetit, mjekët, farmacistët, infermierët dhe mamitë. Niveli i kalueshmërisë sipas specialistëve të AKP-së ka qenë i ulët edhe në ato degë që në sezonet e mëparshme kanë qenë elitare. Më problematike duket se ka qenë farmacia, sidomos sa i përket studentëve të universiteteve private.
Rezultatet
“Mjekësia vijon të jetë profesioni më i avancuar, me kandidatë më të përgatitur. Megjithatë edhe aty kalueshmëria ka rënë deri në 5 pikë. Tani ishte 79% nga 82-85% që ishte në sezonet e mëparshme; në farmaci kemi një përqindje 47 megjithëse testi nuk ishte shumë i vështirë. Kuptohet, tani ka kandidatë që e japin për herë të tretë apo për herë të katërt këtë provim. Edhe në infermieri kalueshmëria tani është 43%,” tha dje në media Terezi. Në këtë sezon provimesh, ata që kanë pasur kalueshmërinë më të mirë kanë qenë fizioterapistët, një degë e re kjo në vendin tonë që po bëhet gjithnjë e më e kërkuar.