E Shtunë, 31 Tetor 2026

70 vota rrëzojnë kërkesën për hetimin e Nanos

22/11/2004  Deputetët e mazhorancës kanë hedhur poshtë me 70 vota pro, 55 kundër dhe 2 abstenime, kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor mbi akuzat për trafik ndaj Kryeministrit Fatos Nano. Arsyetimi i socialistëve në këtë vendim është përdorur fakti që çështja tashmë ka nisur të hetohet prej Prokurorisë së Përgjithshme ndaj dhe Legjislativi nuk mund të ndërhyjë.

Gjykata

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ngritur një komision menjëherë sapo paraqiten 35 firmat e deputetëve është vënë sërish dje në dyshim. Për tri orë me radhë, deputetët kanë vënë në dyshim nëse kërkesa e një të pestës së deputetëve, për hetimin e Nanos, nëse është përfshirë ose jo në trafik armësh, duhet të hidhet poshtë apo jo. Socialistët në qëndrimet e tyre janë shprehur se, deri sa për këtë çështje ka nisur punën Prokuroria e Përgjithshme, Kuvendi nuk ka pse të përfshihet. Sipas tyre, organet kompetente kanë nisur hetime ndaj dhe janë marrë një sërë personalitetesh në pyetje. Por opozitarët kanë deklaruar se për Nanon vepron ende imuniteti i deputetit, ndaj dhe nuk mund të ketë hetime. Madje për këtë pikë janë hedhur dhe dyshimet se Prokuroria është përdorur për të penguar pikërisht hetimet parlamentare. Për opozitarët, hetimet e Legjislativit vetëm sa do të ndihmojnë Prokurorinë dhe nuk do të pengojnë. Kjo për vetë faktin se raporti i komisionit hetimor nuk penalizon persona, por provat ia paraqet Prokurorisë, e cila vepron më pas mbi to. Në këtë mënyrë dhe një herë vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vënë në dyshim prej vetë deputetëve. Këtë herë shkak nuk ka qenë fakti se objekti i kërkuar nuk është kompetencë e Kuvendit, por nga fakti se para ligjëvënësit ka nisur punën një organ hetimor.

Aleatët

Aleatët e socialistëve janë shprehur dje kundër ngritjes së një komisioni hetimor për kryetarin e Partisë Socialiste. Ndryshe nga një javë më parë, socialdemokratët kanë theksuar se kërkesa për komisionin hetimor është e pabazuar. Duke dalë kundër opozitës, Gjinushi tha se është e vërtetë që komisioni ngrihet automatikisht kur paraqiten 35 firmat, por çështja nuk qëndron, sepse është e pabazuar. Ndërsa në mbledhjen e një jave më parë, ata janë shprehur se deri sa ka një akuzë, mirë është që të zbardhet. Në po të njëjtën frymë kanë qëndruar dhe aleatët e tjerë të Partisë Socialiste. Ndërsa vetëm PBDNJ-ja duket se ka qenë sërish e ndarë në dy rryma të ndryshme.

Kërkesa

Në seancën e një jave më parë, deputeti Nikollë Lesi ka paraqitur një kërkesë me 35 firma për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të zbardhte vërtetësinë e një kasete, ku, sipas tij ishte një bisedë mes Fatos Nanos dhe Fehmi Abdiut, ku flitej për trafikun e armëve. Lesi në këtë kërkesë është shprehur se puna e komisionit do të zgjasë vetëm një muaj. Në objektin e Kuvendit u parashikua që të përfshihet dhe një aksident në Shkallnuer të Durrësit, ku është akuzuar Kryeministri Fatos Nano. Sipas Nikollë Lesit, për të dy këto çështje ekzistojnë prova të pakontestueshme ndaj dhe Kuvendi duhet të nisë menjëherë hetimet. Iniciativa e Lesit ka ardhur menjëherë pas votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit të tij. Në këtë seancë, deputeti demokristian ka paraqitur një dokument, ku rezultonte se Nano dhe Abdiu kishin parashikuar ndryshimin e Kodit Penal, për të lehtësuar masën e dënimit për personat që trafikonin armë. Menjëherë pas kësaj deputetët e opozitës kanë mbështetur kërkesën për një komision hetimor. Por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, që kanë theksuar se Kushtetuta parashikon se për të njëjtën çështje nuk mund të ketë dy hetime paralelisht.

Incidenti

Votimi në seancë plenare nuk ka shpëtuar pa incidentin e radhës mes deputetëve. Këtë radhë ka qenë deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi, i cili për pak është përleshur me një nga deputetët e PD-së. Ka qenë ndërhyrja e deputetëve të tjerë që ka ndarë dy debatuesit. Por kësaj situate nuk i ka shpëtuar fjalori i sharjeve.

PS: Non grata kush përgjoi

Socialistët, gjatë seancës parlamentare, për ngritjen e komisionit hetimor, mbi akuzën që rëndon ndaj Nanos për trafik armësh, kanë deklaruar se mbi këtë çështje po heton prokuroria, ndaj dhe nuk mund të ketë dy procedime paralele. Madje, në qëndrimin e tyre, socialistët theksuan se përgjimi i Kryeministrit është i paligjshëm, pasi imuniteti nuk mund të thyhet pa marrë vendimin parlamentar. Duke shkuar më tej, deputetja e Kuvendit, Makbule Çeço, është shprehur dhe anëtarët e ambasadës, që janë përfshirë në këtë çështje, duhet të kenë përgjegjësitë e tyre. Çeço tha se ata duhet të shpallen non grata. Megjithatë ajo është shprehur se nuk beson se një veprim i tillë është ndërmarrë Ndërkohë, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste tha se mbi këtë çështje ka nisur hetimet prokuroria shqiptare dhe sipas ligjeve nuk mund të ketë dy hetime në të njëjtën kohë për të njëjtën çështje.Nuk mund të trajtohen dy çështje menjëherë. "Në rast se ngrihet një komision hetimor do të ligjërojmë një përgjim të paligjshëm", u shprehën socialistët gjatë seancës plenare. Nga ana tjetër, duke përforcuar punën e Prokurorisë, ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, është shprehur se dhe Koçiu, i cili thuhet se ka bërë përgjimin, është në qelinë ku ka qenë dhe më parë. Xhafa ka konfirmuar se prokuroria e ka marrë në pyetje Koçiun në qelinë e tij. Në këtë mënyrë deputetët e PS-së kanë deklaruar se do të votojnë kundër nisjes së hetimeve prej një komisioni parlamentar hetimor.

Berisha: Do hetojmë dhe Sollakun

Kryetari i Partisë Demokratike ka paralajmëruar dje për një tjetër kërkesë për ngritje të komisionit hetimor. Këtë radhë objekt do të jetë Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. "Që nga dita e paraqitjes së zotit Lesi dhe humbjes nga ana e Kryeministrit të mazhorancës, prokuroria, e cila ka fjetur mbi dosjet e krimit, ka kryer veprime antikushtetuese, për të cilat ajo do të jetë objekt direkt hetimi", tha dje Berisha. Për këtë ai kërkoi që Prokurori i Përgjithshëm të thërritet në Komisionin e Ligjeve, pasi në kundërshtim me ligjet e vendit ka nisur një proces penal pa pasur një kërkesë. Ndërsa është shkelur dhe Kushtetuta, pasi kanë nisur hetimet ndaj një person me imunitet, siç është Kryeministri i vendit. "Nëse kërkonin të hetonin për një vepër penale, gjë për të cilën jemi në favor, duhet ta bëjnë duke respektuar ligjin. Ka një kërkesë në parlament për këtë çështje? Jo", tha Berisha. Në deklaratën e tij, Berisha ka këmbëngulur që të jetë Kuvendi, ai që do të hetojë mbi përgjimin e deklaruar prej Nikollë Lesit. Sipas tij, veprimi i kalimit të çështjes në prokurori pa ndërmarrë heqjen e imunitetit nuk është veprim i ndershëm dhe ka qëllime të tjera. Sipas Berishës, prokuroria e ka pasur dhe më parë dosjen e kasetës për përgjimin, ndërsa nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Kreu i PD-së ka përmendur dhe faktin se ka qenë Prokuroria e Përgjithshme që ka mbyllur dosjen e Shkallnuerit, ku ka gjetur vdekjen një person.

Miratohet komisioni për Prokurimet

Gjatë seancës së djeshme parlamentare me konsensus të plotë janë miratuar të 11 deputetët që do të hetojnë tenderat e ministrave që nga viti 2002. Ndryshe nga komisionet e tjerë, PS nuk ka preferuar që të përfshijë në hetime deputetët aleatë, duke e lënë komisionin në dorë të 6 socialistëve. Ndërsa demokratët kanë preferuar të kërkojnë ndihmën e disa deputetëve aleatë. Socialistët kanë dhënë dje emrat e Mezan Malajt, Durim Hushit, Ejup Tabakut, Flamur Hoxhës, Albert Çaçit dhe Ardit Kajës. Ndërsa demokratët kanë dhënë emrat e Ilir Banos, Luan Skuqit, Nikollë Lesit, Fatmir Mediut dhe Jak Ndokajt. Sipas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, Komisioni hetimor nis detyrën që sot dhe do ta përfundojë pas tre muajsh. Hetimet do të drejtohen nga demokrati Ilir Bano. Sipas ligjit, shumica e komisionit përbëhet nga partia në mazhorancë. Ndërsa në mbledhjen e parë do të përcaktohet rregullorja dhe puna e çdo anëtari të komisionit hetimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›