Dervishaj: LSI jo në dekor të qeverisë Nano
15/11/2004 Lëvizja Socialiste për Integrim refuzon ftesën e kryetarit të Partisë Socialidemokrate, Skënder Gjinushi, që ka kërkuar bashkimin e LSI-së me koalicionin e majtë. Gjinushi ka këkuar që, "për hir të interesave të së majtës, LSI duhet të bashkohet me koalicionin qeverisës për integrim". Nëpërmjet zëdhënësit politik, Sokol Dervishaj, LSI shprehet se i vetmi bashkëpunim mes së majtës që pranojnë përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, është lufta kundër trafiqeve dhe korrupsionit, dhe jo aleanca të individëve. "Askush nuk duhet të ushqejë iluzione se LSI-së mund të kthehet në dekor të një qeverisje të dështuar dhe të një maxhorance të konsumuar", tha Dervishaj. Sipas zëdhënësit politik, "LSI është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat e majta dhe i fton ato të provojnë integritetin e tyre duke mbështetur projekt-ligjin që LSI-ja ka paraqitur mbi konfliktin e interesave, si dhe të luftojnë monopolet dhe korrupsioin". Dervishaj thekson se interesat e së majtës nuk mbrohen me koalicione të paprincipta. "Në vend që të përfaqësojnë interesat e shtresave të gjëra shoqërore, mbrojnë vetëm interesat e ngushta të një grupi njerëzish dhe monopoleve që ata zotërojnë, të cilat pengojnë integrimin e vendit dhe thellojnë varfërinë çdo ditë. LSI nuk mund të bëjë koalicione, të cilat i shërbejnë një individi apo një grupi individësh. Por LSI do të bëjë ato lloj koalicionesh dhe ato bashkëpunime që i shërbejnë qytetarëve shqiptarë dhe vendit në tërësi", tha Dervishaj. Në këtë mënyrë partia e drejtuar nga Ilir Meta shprehet se mundësia e një koalicioni do të jetë për miratimin e ligjit për konfliktin e interesave. Në këtë rast është përjashtuar sërish mundësia e përfshirjes së LSI-së në qeveri. Ndërsa sërish është hedhur mendimi se koalicionet do të lidhen pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2005.