7.2 milionë lekë për kompensimin e pronarëve që preken nga projekti i parkut në Vlorë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e godinës së parkimit nëntokësor dhe i parkut çlodhës, në Vlorë.
Vlera e përgjtihshme e kompensimit të pronarëve arrin në 7 228 689 lekë dhe përballohet nga buxheti i shtetit.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila ngarkohet për likuidimin e pronarëve.
Ndërkohë Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për pasuritë e shpronësuara.
/m.m/a.f/