Operacioni kundër ndërtimeve pa leje në Farkë, Koçiu: Asnjë tolerim! Para se të blini pronë verifikoni statusin ligjor të saj

Në Farkë ka nisur një operacion kombëtar me fokus ndërtimet pa leje dhe ato që shkojnë përtej lejeve ekzistuese. Aksioni shtrihet në zonat përreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikëqyrësit, inspektorët dhe personat e tjerë përgjegjës për shkeljet e lejeve për vila dhe godina të shtrenjta, do të përballen me masa administrative dhe penale sipas ligjit.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se nuk do të falet dhe tolerohet asnjë metër katror jashtë lejes së dhënë, ndërsa u bëri apel qytetarëve që të verifikojnë statusin ligjor të pronës para se ta blejnë.
“Ky aksion synon garantimin dhe zbatimin e ligjshmërisë në të gjitha ndërtimet në territorin e Farkës. Nga monitorimi në terren dhe me dron është konstatuar një sërë shkeljesh. Askush që ndërton përtej lejes së dhënë nuk do të lejohet të përfitojë metrën katrore shtesë. Masat ligjore, që hynë në fuqi në fillim të tetorit, synojnë zbatimin e sanksioneve konkrete. Kam një thirrje edhe për qytetarët se kushdo që dëshiron të blejë një pronë duhet të verifikojë statusin ligjor të saj dhe të njoftojë organet kompetente për çdo parregullsi apo abuzim”, tha Koçiu.
Sipas autoriteteve, janë konstatuar raste të tejkalimit të lejes së ndërtimit, ndërsa policia do të procedojë penalisht personat përgjegjës, përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë që kanë abuzuar me autorizimet.
/rtsh.al/