E Shtunë, 31 Tetor 2026

7501-shi sjell probleme në Kavajë



Shumë komuna në Kavajë, në fshatra të ndryshme, ndihen të pafuqishme të riparojnë dhe zbatojnë ligjin 7501 për ndarjet e tokave të bëra prej vitesh nga ish-drejtues të tyre. Kjo ka sjellë që mjaft banorë të komunave të ndryshme në Kavajë të kërkojnë prej komunave të tyre zbatimin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës, i cili për arsye të ndryshme nuk u zbatua që në momentin që ligji nisi të gjente zbatim në pothuajse gjithë territorin e vendit. Në shumë fshatra të Kavajës, në fillim të vitit 1991, kohë kur u miratua ligji 7501, u pranua që toka bujqësore të ndahej sipas këtij ligji, duke vendosur ngritjen e komisioneve me njerëz pa përvojë të cilët edhe abuzuan me zbatimin e tij. Një nismë e tillë për zbatimin e këtij ligji solli menjëherë pasojat e veta, sepse toka u nda me probleme, pati probleme me regjistrimin e saj dhe tashmë kur kanë kaluar 19 vjet, fshatarët nuk janë pronarë të ligjshëm të tokës që punojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndarjen e pasurive të tjera, si ullinj, vreshta etj. Situata të tilla problematike gjen kudo në komunat e Kavajës, duke filluar nga komuna e Golemit, e Luzit të Vogël, Lekajt dhe Gosës. Përveç mungesës së vendosmërisë që është shfaqur në fillim nga pushteti vendor në ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, tani kur kanë kaluar shumë vjet, banorët denoncojnë se toka që duhej të ndahej në rregull për të gjithë banorët, është zaptuar nga një pakicë njerëzish. Në fshatrat Tilaj dhe Seferaj banorët akuzojnë se janë zaptuar qindra rrënjë ullinj, ndërsa ligji 7501 u zbatua me deformime ose nuk u zbatua fare. Shkaktarë të kësaj situate që nuk gjen zgjidhje, banorët bëjnë ish-krerët e komunave dhe administratën e tyre, të cilat duhet të nisin nga e para procedurat për verifikimin e tokës në terren dhe ndarjen e rregullt të saj sipas frymëve, në mënyrë që kjo gjë të pasohet në fund nga regjistrimi i saj në Hipotekë. Banorëve të këtyre fshatrave u është thënë se “ndarja e tokës iu është konvertuar”, por ata nuk janë dakord me një gjë të tillë, që ka sjellë vetëm dëme për ekonomitë e tyre. Kështu ka ndodhur edhe në komunën Luz i Vogël, kur ish-drejtues të kësaj komune kanë ndarë një sasi të konsiderueshme toke në Beden dhe zona të tjera të komunës, pa njoftuar personat që duhet ta përfitonin atë. Ndarja është bërë fiktive dhe në të njëjtën mënyrë është bërë edhe regjistrimi i saj në Hipotekë. Tashmë, komuna kërkon që kjo sasi toke të çregjistrohet dhe të mbetet pronë e komunës, pasi banorët e zonës nuk e kanë pëlqyer asnjëherë atë dhe nuk kanë dashur ta marrin në pronësi. Probleme të tilla, sipas banorëve, mund t’i zgjidhin vetëm gjykatat apo vendimet e dala nga KM.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›