E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza zgjon artin



Pothuajse të gjitha institucionet artistike në vend i kanë dhënë një rëndësi të veçantë Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës. Duke filluar që nga dita e djeshme, janë organizuar një sërë aktivitetesh artistiko-kulturore në nder të kësaj feste kombëtare. Janë hapur dyert e Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor, Arkivit Qendror të Filmit, Galerisë Kombëtare të Arteve, Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, duke planifikuar organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve kushtuar ditës “Shën Tereza e shqiptarëve”.

“Banorët e Katit V”, në teatër

Institucioni i Teatrit Kombëtar ka shfaqur edhe mbrëmë premierën “Banorët e Katit V”, vepër e dramaturgut shqiptar Kin Dushi, vënë në skenë nga regjisorja Sonila Kapedani. Shfaqja është organizuar me ftesa, por edhe hyrje të lirë për publikun, duke i dhënë mundësinë kështu publikut që të frekuentojë teatrin falas në këtë ditë festive. Është fjala për shfaqjen e dyte konkurrente në Festivalin Teatror të të Rinjve 2009. “Banorët e Katit V”, është shfaqje më regji të regjisores së re Sonila Ulqinaku, me skenografi dhe kostumografi të Klajd Kapidani, ndërsa interpretuan aktorët Ermira Hysaj, Valdrin Hasani, Arber Islami, Xheni Demi, Alfred Zeneli, Klodian Hoxha, Brikena Sinanaj, Daniel Zhuli.

Opera feston me klasikët

Institucioni i TKOBAP, në nder të Lumturimit të Nënë Terezës ka organizuar në paraditen e ditës së djeshme një koncert me pjesë të zgjedhura klasike në hollin qendror të institucionit, në të cilën kanë interpretuar solistët më të mirë të TKOBAP.

Ndërkohë që dy net më parë është shfaqur premiera “Porgy and Bess” në bashkëpunim me ambasadën amerikane.

“Haleluja” në Arkivin e Filmit

AQSHF, si çdo përvjetor ka organizuar edhe këtë vit në kuadër të manifestimit “Shën Tereza e shqiptarëve” shfaqjen e dy filmave dokumentarë në kinemanë e institucionit me nxënësit e shkollave të mesme, si dhe të ftuar të tjerë. Pas shfaqjes filmike ditën e premte në sallën e AQSHF, pikërisht më datë 20, në orën 12:00 në sallën e AQSHF-së do të paraqitet një film dokumentar për figurën e së lumes "Nënë Tereza", prodhim i DEA Film, me financim të QKK dhe TVSH, (Regjia: Kujtim Gjonaj, kohëzgjatja 50’), po ashtu dhe filmi dokumentar "Haleluja!", prodhim i Albafilm Studio i vitit 1992 më regji të Kristaq Mitros. (Kohëzgjatja 15’). Një tjetër film dokumentar si "Kardinali i parë shqiptar" do të prezantohet për të nderuar kështu edhe figurën e Mikel Koliqit. Ky është një prodhim i Albafilm Studios, me regji të Rikard Ljarjes (Kohëzgjatja 30').

Galeria Kombëtare e Arteve

GKA ka filluar të jetë e hapur dhe me orar të zgjatur në mënyrë që publiku mund të vizitojë të gjitha mjediset e galerisë pa biletë (hyrje e lirë). Publiku do të mund të vizitojë 6 sallat e linjës së GKA-së dhe njëkohësisht dhe ekspozitën fotografike "Jordi Socias", e çelur në bashkëpunim me Shoqërinë Shtetërorë Kulturore të Jashtme të Spanjës dhe ambasadës së Spanjës në Shqipëri.

Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve

Ideja e programit në QKKF është mbështetur në ndërthurjen dhe performimin e të gjitha gjinive artistike që zhvillohen në këtë qendër. Vendi i zhvillimit të aktiviteteve mendohet të jetë TKK, brenda dhe jashtë mjediseve të kësaj qendre.

Në skenën e TKK-së do të ketë një shfaqje për fëmijë që do t’i kushtohet kësaj dite festive.

Piktorët e vegjël, të frymëzuar nga puna dhe figura e Nënë Terezës, do të hedhin në telajo piktura në formate të ndryshme në ambientin para TKK-së.

Kori i fëmijëve do të performojë një repertor të larmishëm të këngëve për fëmijë.

Balet klasik, valle tradicionale dhe poezi kushtuar punës dhe veprës së kësaj shenjtoreje do të shoqërojnë këtë program në nderim të figurës së saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›