E Hënë, 2 Nëntor 2026

79 milionë euro për energjinë, 8 mijë familje përfitojnë nga skemat e granteve të gjelbra

Investimet në energjinë e rinovueshme duket se janë në qendër të vëmendjes nga qeveria shqiptare.

Me anë të Programit Operacional për Energjinë me buxhet 79 milionë euro, qeveria synon zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë dhe uljen e konsumit në ndërtesat publike.

Sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli, nga ky projekt do të përfitojnë mbi 8 mijë familje nëpërmjet granteve nga Bashkimi Europian.

“Ky program ka një buxhet total prej 79 milionë eurosh, nga të cilat 50 [milionë euro] janë donacion nga Bashkimi Europian dhe 29 janë bashkëfinancim nga qeveria shqiptare… përfshin instalimin e paneleve të energjisë së rinovueshme, kryesisht fotovoltaikë dhe kolektorë diellorë. Programi operacional do të bashkëfinancojë burime të rinovueshme të energjisë dhe matjen e eficiencës së energjisë për rreth 8 mijë familje private,” nënvizoi z. Kozeli.

Zëvendësministri nënvizoi se programi operacional i energjisë bazohet në katër fusha kryesore.

“Ky program synon zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë, diversifikimin e tyre, nxitjen e përdorimit efikas, uljen e konsumit të energjisë në ndërtesa publike, si edhe krijimin e kushteve për hapjen e tregut të energjisë në përputhje të plotë me paketën e tretë rregullatore të BE. Gjithashtu, ky program do të përmirësojë ndjeshëm eficiencën e energjisë në furnizimin me ujë, dhe imobilitetin,” tha z. Kozeli.

Në lidhje me infrastrukturën e automjeteve elektrike, synohet reduktimi i emetimeve të karbonit, përafrimi me legjislacionin e BE-së, si dhe asistimi në instalimin e 130 stacioneve të karikimit të makinave elektrike.

Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›