E Martë, 3 Nëntor 2026

8 Marsi- Rama shpërndan lule për gratë. Hasani: Rritja e përfaqësimit të tyre, fokusi i qeverisë

Kryeministri Edi Rama dhe politikanë të tjerë kanë uruar festën e 8 Marsit. Kreu i qeverisë shqiptare ka shpërndarë lule për gratë, teksa shprehet se “nuk ka lule që ua merr nurin, grave të sakrificës, dhembshurisë e dashurisë”.

Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ka dhënë një videomesazh në Ditën ndërkombëtare të Gruas, ndërsa shprehet se rritja e përfaqësimit të grave ka qenë e mbetet fokusi i qeverisë shqiptare.

Hasani theksoi se prej 10 vjetësh Shqipëria ka përfaqësimin më të lartë të grave në qeverisje, e ku në Kuvend 30% e deputetëve janë gra e vajza, ndërsa në administratën publike ato zënë mbi 60% të pozicioneve të mesme e të larta.

“Ne mbështesim të drejtat e grave dhe vajzave sepse gratë dhe vajzat janë Shqipëria!  Sepse rritja e përfaqësimit të tyre ka qenë e mbetet fokusi i qeverisë shqiptare;  Sepse gratë dhe vajzat përbëjnë shumicën në Shërbimin e Jashtëm dhe aktualisht drejtojnë përfaqësitë shqiptare kryesore në botë;

 Sepse, prej 10 vjetësh Shqipëria ka përfaqësimin më të lartë të grave në qeverisje, e ku në Kuvend 30% e deputetëve janë gra e vajza;  

Sepse, në administratë publike mbi 60 për qind i pozicioneve të mesme e të larta drejtuese mbahen nga grate;  Në polici  e Forcat e Armatosura përfaqësimi është gjithnjë e më cilësor. Sepse Shqipëria beson tek kjo çështje, tek të drejtat e grave e vajzave e mundësitë e barabarta. 

Sepse eksperienca na ka treguar,  që sa më shumë hapësira të krijohen për gratë e vajzat, sa më shumë mundësi t’u jepen atyre, aq më e drejtë e më e mirë do të jetë shoqëria jonë. Sepse Shqipëria janë gratë dhe vajzat”, tha Hasani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur një mënyrë unike për të uruar zonjat dhe zonjushat e qytetit për 8 Mars. Përmes një videoje ku shfaqen vajza që inkurajojnë njëra – tjetrën, Veliaj shkruan në rrjetet sociale se 8 Marsi është një ditë për të kujtuar dhe festuar fuqinë, gëzimin dhe dashurinë e grave. 

“8 Marsi është ditë për të kujtuar dhe festuar fuqinë, guximin dhe dashurinë e grave në jetën tonë. Gëzuar për ju heroina!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›