8 Marsi, ambasadoret në Shqipëri: Jepini vlerë votës tuaj më 14 maj për shërbime më të mira

Ambasadoret e huaja në Tiranë u kanë bërë thirrje grave shqiptare në Ditën Ndërkombëtare të Gruas përmes një videoje sensibilizuese. Duke kujtuar se kjo ditë shënon pikërisht të drejtën e gruas për votë e vendimmarrje, thirrja e diplomateve të huaja ka qenë jo vetëm që të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit, por të kërkojnë të zgjedhin me votë atë që iu jep shërbime më të mira lokale.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë Ambasadore nderojnë ato që luftuan për të drejtën e votës së grave. I bëjmë thirrje grave të votojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale më 14 maj. Jepini vlerë votës tuaj për shërbime më të mira lokale”, ishte mesazhi i tyre.
Zonjat ambasadore kanë kujtuar kërkesat që duhet të shoqërojnë dhënien e votës duke përfshirë në to të drejtën për shërbime të shëndetit, për punë dhe mundësi ekonomike, për kopshte fëmijësh, për parqe dhe kënde lojërash, për shërbime shoqërore të shfrytëzueshme, dhe ndihmë për ata që kanë mbetur pas, për ajër të pastër, gjelbërim, ujë të pijshëm nga rubineti.
/rtsh.al/