E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 marsi, Berisha: Të zhdukim pabarazitë, gratë forcë përcaktuese në fitoret e PD

08-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha uron nënat dhe gratë në ditën e 8 marsit: “Ju jeni simboli i dashurisë, ikona e saj, jeni sakrifica e madhe për të mirën, për familjen, për vlerën, për shoqërinë”

Në 23 qershor shembim murin e bllokimit që kanë ngritur neobllokmenët

Kryeministri Sali Berisha uroi sot, përzemërsisht, të gjitha gratë dhe nënat shqiptare, me rastin e 8 Marsit, ditës simbol të Gruas në mbarë botën. I shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, kryeministri iu bashkua atmosferës festive, në Pallatin e Kongreseve, ku ishin mbledhur gra të kryeqytetit, si dhe nga rrethe të tjera të vendit për të festuar së bashku në aktivitetin e organizuar, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli.
Mes entuziazmit, kryeministri përcolli urimin e tij dhe shprehu mirënjohjen dhe nderimin më të thellë për të gjitha nënat, gratë dhe  vajzat shqiptare që me përkushtim, mirësi, dhe sakrificë i kanë shërbyer familjes, shoqërisë dhe kombit në tërësi.  “Në çdo familje, në çdo shoqëri, në çdo komb, ju jeni simboli i dashurisë, ju jeni ikona e saj, ju jeni sakrifica e madhe për të mirën, për familjen, për vlerën, për shoqërinë.”, u shpreh në respekt të tyre kryeministri.
Kryeministri vlerësoi rolin vendimtar të gruas në përmbysjen e diktaturës dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe premtoi se votat e grave dhe të nënave shqiptare më 23 qershor do të shërbejnë në përpjekjen e përbashkët për shndërrimin e Shqipërisë, në një vend të zhvilluar, në Shqipëri evropiane.

Përshëndetja e kryeministrit drejtuar nënave dhe grave shqiptare në ditën e 8 Marsit:

“Së pari dëshiroj të përulem me nderimin më të thellë, me mirënjohjen më të pakufishme parë ta gjithave ju këtu, para të gjitha nënave, grave, motrave, vajzave shqiptare, kudo që janë sot ato, t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ti falënderoj me mirënjohjen më të thellë për gjithçka ato kanë bërë për Sali Berishën, për çdo burrë, djalë, familjar, për shoqërinë shqiptare, për kombin, për Shqipërinë, në të gjitha kohërat, Çdo  familje, çdo shoqëri, çdo komb gjithçka të mirë, çdo mirësi, çdo sukses e ndërton të bazuar mbi sakrificën dhe dashurinë.

Në çdo familje, në çdo shoqëri, në çdo komb ju jeni simboli i dashurisë, ju jeni ikona e saj, ju jeni sakrifica e madhe për të mirën, për familjen, për vlerën, për shoqërinë. Mirënjohja ime e thellë është se pas periudhash, ndër më të vështirat që shqiptarët përjetuan, ju vajzat dhe gratë e Shqipërisë u bëtë faktori vendimtar me shpirtin tuaj të lirë, në përmbysjen e diktuarës dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë. Ne mblidhemi sot dhe kremtojmë këtë ditë, duke mos pranuar të krahasohemi me të shkuarën, por krenarë, se në përpjekjen tonë ne kemi realizuar qëllime të mëdha.

Të dashura gra dhe vajza, nëna dhe motra, zonja dhe zonjusha, në këtë sallë dhe kudo në Shqipëri,

Instinkti ynë i thellë është të shohim përpara, të ecim përpara, por ne gjithçka kemi realizuar, kemi realizuar së pari sepse ne jemi realistë, ne bëjmë analiza realiste dhe po të shohim Shqipërinë me realizëm, do të konstatojmë se jo vetëm në Shqipëri, por dhe ne çdo vend të lirë, paragjykuesi kryesor është muri patriarkisë. Është ky mur mijëra e mijëra vjeçar, nga i cili buron dhuna dhe brutaliteti ndaj vajzave dhe grave shqiptare dhe në mbarë botën, është ky mur dhunues kryesor i lirive dhe te drejtave kryesore ne vendet e lira, është ky mur që përcakton dallimet e pamerituara midis nënës dhe babës, gruas dhe burrit, vëllait dhe motrës. Është ky mur që përcakton vështirësitë e mëdha ekonomike, ndaj dhe unë jam këtu sot, për tu zotuar me solemnitet para jush se gjithë  jetën time në politike së bashku me ju do të luftojmë për ta shembur çdo ditë  e më shumë ketë mur.

Shqipëria nuk ka nevojë të quhet grua apo burrë, Shqipëria ka nevojë jetike të jetë vendi i burrave dhe grave të barabartë, i nënave dhe baballarëve, i motrave dhe vëllezërve të barabartë. Le të luftojmë së bashku për të bërë në këtë vend, vendin e qytetarëve të barabartë.

Ne një hark kohor të shkurtër, ne jemi përpjekur të arrijmë ndryshime te mëdha dhe rrënjësore, por një nga arritjet më të mëdha sot është që Shqipëria vendi ynë renditet në një nga vendet me vdekshmëri më të ulët amtare ne Evropë dhe ne planet, dëshmi së pari e kulturës se vajzave dhe nenave shqiptare, por dhe dëshmi e një kujdesi të veçantë, të organizuar dhe të rritur, të merituar ndaj tyre.

Në luftën tonë kundër murit të patriarkisë, ne ia kemi dalë që  sot ju të jeni shumicë në të gjithë administratën. Në këtë luftë, në këtë beteje, ne ia kemi dalë që të jeni shumicë në të gjitha shkollat e të gjitha niveleve të vendit. Në këtë luftë, në këtë betejë, ne ia kemi dalë sot që pabarazia e madhe që ekzistonte në rrogën mesatare të burrave dhe grave, në vitin 2005, pabarazi prej 36 %, të përgjysmohej dhe të jetë sot më e vogël se në 12 vende anëtare të BE. Në këtë luftë dhe në këtë betejë ne nisëm të shpalosim në mbarë vendin sistemin e mikrokreditit për gratë, të cilat do ti konsiderojmë në çdo rast bashkëkryefamiljare. Në këtë luftë dhe në këtë beteje, vendimtare është që ju, të dashura gra dhe vajza, që vajzat tuaja të mos heqin kurrë dorë nga karriera, të mos pranojnë në asnjë rrethanë të shndërrohen vetëm në gra shtëpie, por të jenë edhe të zonjat në punë, të jenë nëpunëse, zyrtare, politikane, deputete, ministre.

Në shekuj muri i patriarkisë bëri që tradita intelektuale e kombeve dhe  e njerëzimit të jetë mashkullore, por çdo ditë e më shumë kjo traditë po përmbyset. Koeficienti intelektual, roli i grave dhe vajzave, studimet e tyre të shkëlqyera, krijimet e tyre gjeniale po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Vajzat, nënat, gratë shqiptare, të cilat kanë përjetuar por dhe përballuar me sukses drama të mëdha, sakrifica mbinjerëzore, vështirësi të jashtëzakonshme, kanë besim të madh tek virtyti i tyre, tek forca e tyre shpirtërore. Ky virtyt ka bërë që një grua shqiptare shtatvogël me zemrën e saj të pushtojë mbarë njerëzimin dhe kjo ishte Nenë Tereza. Ajo ishte njëra prej jush, ajo ishte njëra nga nenat shqiptare. Ajo është frymëzimi për çdo shqiptare kudo që ndodhet,  por është frymëzimi për çdo grua dhe vajzë kudo në botë.

Të dashura, vajza, gra, nëna motra në këtë sallë dhe në mbarë Shqipërinë,

E dashur Lili,

Shqipëria nuk ka nevojë të quhet grua apo burrë, por fitorja është grua, është vajzë, është vetëm grua dhe vajza, ndaj dhe le të shpallim ne nga kjo sallë, nga kjo ditë, betejën tonë të madhe për fitoren e 23 qershorit. Të vazhdojmë ne, me forcën bindëse të shpirtit tonë, betejën për çdo votë. Ne na duhen votat e çdo gruaje, e çdo vajze, e çdo nëne shqiptare për të vazhduar betejën tonë fisnike ndaj murit të patriarkisë. Ne na duhen ato, që Shqipëria çdo ditë e më shumë të bëhet vendi i djemve dhe vajzave, burrave dhe baballarëve, vëllezërve dhe motrave të barabarta, në familje, në shoqëri e kudo.

Le të përdorim ne, forcën e besimit tonë tek vlera, për të bërë që çdo nënë, çdo vajzë, çdo grua, çdo motër shqiptare të votojë në 23 qershor për të shembur murin e bllokimit që kanë ngritur në rrugë neobllokmenët e rinj, në emër të testamentit të etërve të tyre.

Le te rendim ne çdo ditë, çdo minutë, çdo orë, pas çdo vote. Fitorja e 23 qershorit është vendimtare për shndërrimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar, për shndërrimin e Shqipërisë, në Shqipëri evropiane, në vendin e ëndrrave dhe idealeve tuaja , të fëmijëve tuaj, të nipërve dhe mbesave tuaja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›