Arvizu: Respektimi i rregullave garanton zgjedhje brenda standardeve
Ambasadori amerikan u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjetin social, Facebook
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, pasionant i përcjelljes së mesazheve përmes teknologjisë, konsideroi se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë brenda standardeve nëse të gjithë respektojnë rregullat e lojës.
“Nëse të gjithë bëjnë detyrën e tyre, atëherë nuk ka asnjë arsye përse këto zgjedhje të mos jenë më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë”.
Padyshim, për të arritur nivelin më të lartë në garën elektorale, për Arvizun, duhet të tregojnë përkushtim dhe respekt në ligj.
“Të gjitha palët përgjegjëse (KQZ-ja, qeveria, partitë politike dhe kandidatët e pavarur) duhet të veprojnë në mënyra të tilla që të rrisin besimin publik në proces”.
Arvizu thotë se qeveria amerikane po mbështet grupet e vëzhguesve, të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe po punon me KQZ-në për të ndërtuar një proces transparent të raportimit të rezultateve.
“Sa më shumë njerëz të kenë besim në integritetin e këtij procesi, aq më shumë ka gjasa që ata nuk do të kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve”.
Referuar votimit në Kuvend për thirrjen e një referendumi popullor për votimin e 3 ligjeve, në funksion të marrjes së statusit kandidat, ambasadori parapëlqen t’i referohet mesazhit të Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle.
“Komentet e Komisionerit Fule i japin përgjigje pyetjes tuaj me mire se çdo gjë që unë mund të them”.
Aleksandër Arvizu, inkurajon të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime.