E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD shkarkon gjyqtarin e Elbasanit pas ankesave për abuzim me detyrën

Të tjera rreth shkrimit Konfliktet me avokatët dhe qytetarët TIRANE – Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur me unanimitet shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit, Xheladin Karkini, pas përfshirjes që ky i fundit ka pasur në një konflikt me avokatin Bujar Dyrmishi më 19 shtatorin e vitit të kaluar.

Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë nga Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ndërsa sot Presidenti Bujar Nishani deklaroi se janë të papranueshme ato raste ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë në dhënien e drejtësisë për qytetarët.

Gjyqtari Xheladin Karkini u konfliktua me avokatin Bujar Dyrmishi, pasi prej kohësh nuk i caktonte datën e një seance gjyqësore. Burime për televizionin A1 REPORT konfirmuan në atë kohë, se ndaj gjyqtarit karkini ka pasur një sërë ankesash nga qytetarët dhe avokatë të tjerë për neglizhencën që bënte në zbardhjen e vendimeve apo caktimin e datës gjyqësore.

Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini është rasti i dytë në një hark kohor prej 3 muajsh, pas shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku në mbledhjen plenare të datës 07.12.2012.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të një anëtari të tij, vendosi me unanimitet inspektimin në një kohë sa më të shpejtë nga Inspektorati i KLD-së të Kryetarëve të Gjykatave në të gjithë vendin për mënyrën e hedhjes së shortit për përcaktimin e trupës së gjyqtarëve.

Pas diskutimeve të disa anëtarëve të tij, Këshilli vendosi miratimin me unanimitet datat 25 dhe 26 mars për zhvillimin e testimit për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›