81-vjetori i rënies së heronjve të Vigut – Institucionet vendore, veteranë të luftës e familjarë nderojnë kujtimin e tyre

Në 81-vjetorin e rënies së “5 heronjve të Vigut”, përfaqësues të së majtës në Shkodër, së bashku me veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare (LANÇ), të afërm dhe familjarë nderuan kujtimin e heronjve të popullit, Ndoc Mazi, Ndoc Deda, Naim Gjylbegu, Hydajet Lezha e Ahmet Haxhia, duke bërë homazhe pranë bustit të tyre.
“Këta djem dhanë jetën në lule të rinisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre,” tha Dhurata Tyli, përfaqësuese e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it.
“… një nga ngjarjet dramatike të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare të popullit tonë. Kjo krenari, që mbartet edhe sot, këto vlera të patjetërsueshme të kësaj gjenerate të mrekullueshme, na bëjnë të ndihemi krenarë edhe sot,” u shpreh Zamir Llazani, kryetar i Organizatës.
Përfaqësues të institucioneve vendore e vlerësuan sakrificën e pesë heronjve, që shërben për kujtesë dhe nderim.
“Në këtë ditë të shënuar kujtojmë bijtë tanë, djemtë e Shkodrës, Lezhës e Mirditës, të cilët dhanë jetën për liri. Dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit tonë,” tha Edmond Ndou, kryetar i Qarkut Shkodër.
“Në emër të Bashkisë Shkodër dhe të kryetarit Benet Beci, kemi ardhur sot këtu për të bërë homazhet dhe të përulemi përpara monumentit të ‘5 heronjve të Vigut’, në shenjë respekti për aktin e tyre sublim, kur dhanë jetën 81 vite më parë,” deklaroi Teuta Qyteza, zëvendëskryetare e Bashkisë Shkodër.
21 Gushti i 1944-ës shënon betejën mes 5 partizanëve të rënë dhe bashkëpunëtorëve nazifashistë në Vig të Mirditës, të cilët luftuan për atdheun dhe popullin.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/