E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Falja e gjakut” shkon në “Oscar”

Komisioni Qendrës Kombëtare Kinematografike (QKK) e ka përzgjedhur sot këtë film për të konkurruar në kategorinë “Foreign Language Film Aëard” (Filmi më i mirë në gjuhë të huaj). “Falja e gjakut” fitoi disa javë më parë “Ariun e Argjendtë” si filmi me skenarin më të mirë në Festivalin e Berlinit.

Në një njoftim për shtyp, QKK bën me dije se “filmi është përzgjedhur me motivacionet: është tërësisht në gjuhën shqipe, është xhiruar tërësisht në Shqipëri dhe aktorët janë të gjithë shqiptarë”. Gjithashtu thuhet se filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare, “për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë”.

Komisioni përzgjedhës, me anëtarë Teodor Laçon, Esat Musliun, Bujar Lakon, Agron Tufën dhe Durim Nezirin, përzgjodhi filmin “Falja e gjakut” mes filmave të tjerë kandidatë: “Amnistia”, “Maya” dhe “Ballkan Pazar”.

Prodhimi i regjisorit amerikan  Martson, me skenar të tijin dhe të Andamion Muratajt, trajton zakonin e vjetër të gjakmarrjes që ngujon një familje dhe përmbys të ardhmen e tyre. Jetët e Nikut adoleshent dhe të motrës së tij më të vogël, Rudina, trazohen kryekëput kur një vrasje ndodh pas një zënke për një rrip toke, e cila e hedh familjen e tyre në gjak.

Filmi u xhirua në Shkodër dhe në të interpretojnë aktorët nga Kosova Ilire Vinca- Çelaj, Qun Lajqi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj etj.

“Falja e gjakut”, që aktualisht po shfaqet në kinematë e kryeqyetetit, ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare ku ka konkurruar në kategorinë A. Ai ka gjetur distributorë për t’u shfaqur në thuajse të gjitha vendet anglishtfolëse.

Që prej vitit 1996, pesë filma shqiptarë kanë aplikuar për “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences”, por asnjëri nuk është nominuar për “Oscar”.

Në 1996-ën Shqipëria u prezantua me “Kolonel Bunker” të Kujtim Çashkut, në vitin 2002 ishte “Slogans” i Gjergj Xhuvanit, në vitin 2008 “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i Eno e Pirro Milkanit, në 2009-ën konkurroi “Gjallë” i Artan Minarollit dhe një vit më parë konkurroi “Lindje-Perëndim-Lindje” i Gjergj Xhuvanit.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-09-22 20:08
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›