E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Honeymoons” shfaqet në Parlamentin Evropian

Në fjalën e hapjes, Kopa shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke shpresuar që mesazhet e filmit për paqe dhe mirëkuptim të jenë motivi i vendeve të rajonit, “në mënyrë që rruga e tyre drejt Evropës të mos jetë më një mit, por një realitet”.

Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve thuhet se eurodeputetja greke shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe vlerave të vendeve të Ballkanit në Parlamentin Evropian.

E pranishme në këtë aktivitet, zv/ministrja e MTKRS-së Suzana Turku, tha se zhvillimet dhe proceset e integrimit në të gjitha fushat në Evropë kanë krijuar premisa të reja për të rritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin.

“Unë besoj fuqimisht se ndërtimi i politikave të përbashkëta kulturore në të ardhmen, duke njohur dhe respektuar dallimet e njëri-tjetrit, do të kontribuojë në proceset integruese në të gjitha nivelet”, tha ajo.

Gjatë aktivitetit në PE, në praninë e eurodeputetëve të ndryshëm që mbulojnë problematikat e Ballkanit Perëndimor, u shpërndanë materiale të ndryshme promovuese mbi Shqipërinë. Të pranishëm të tjerë ishin ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues nga Këshilli i BE-së dhe nga Komisioni Evropian.

Filmi me regji të Goran Paskaljeviç, shkruar prej tij dhe Genc Përmetit, paraqet historinë e dy çifteve të reja që kërkojnë të largohen drejt Evropës nga vendet e tyre, Shqipëria dhe Serbia, pasi rrethanat e kanë bërë të pamundur marrëdhënien e tyre. Në pjesën e tretë të filmit ndërthuren fatet e çifteve, historitë e tyre shkrihen paralelisht, por asnjëherë nuk takohen, sikurse ndodh shpesh në filmat standardë.

                                                                                             2011-02-02 19:15
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›