E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita filozofi dhune

“Nuk do të munden dot të zëvendësojnë politikën e dialogut në institucione me politikën e dhunës të skuadroneve paramilitare, sepse Shqipëria dhe shqiptarët kanë një të ardhme të sigurt, kanë një perspektive europiane për të cilën është sakrifikuar shumë. Sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s sepse qytetarët shqiptarë falë reformave që u bënë fituan të drejtën për të udhëtuar pa viza dhe me dinjitet në të gjithë hapësirën evropiane”, tha Meta atje. 

Ai shtoi se vendi ka ende probleme të mëdha për t’i zgjidhur, por maxhoranca aktuale është e angazhuar për t’i zgjidhur ato. “Opozita ka vetëm filozofinë e dhunës, për të cilën jam i bindur se kjo nuk është filozofia e shqiptarëve që janë në opozitë me qeverinë e sotme. Ata që frymëzuan dhunën më 21 janar kundër rendit kushtetues janë ata që në momente të vështira që po kalonte bota dhe Evropa të krizës ekonomike, kërkonin të përhapnin panik për falimentimin e bankave, për depozitat e dhjetëra mijëra shqiptarëve, për sakrificat e tyre të panumërta për të siguruar një mirëqenien modeste. Shqipëria e kaloi situatën e vështirë ekonomike dhe financiare, vendi ka hyrë në një periudhë që do të njohë një rritje ekonomike më të madhe dhe më të qëndrueshme”, shtoi Meta.

Ai foli gjithashtu për investimet në vend dhe ndryshimet e bëra gjatë këtij mandati qeverisës. Sipas Metës, këto arritje do të rikonfirmohen më 8 maj kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale, që sipas tij, LSI-ja së bashku me PD-në do të jenë fituese. “Mund t’ju them se vetëm gjatë vitit të kaluar 1.6 miliard lekë kanë qenë subvencionet në bujqësi në qarkun e Fierit, gjysma e të cilëve kanë qenë për Lushnjën. Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturë, në mënyrë të veçantë autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, ka bërë që vetëm gjatë vitit të kaluar të ekspertohen prodhime bujqësore katër herë më shumë sesa në vitin 2009 dhe pikërisht 22 mijë tonë”, shtoi Meta. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-02-03 08:46
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›