E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngërçi politik, pengesë për integrimin e Shqipërisë”

Ambasadorja polake, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së BE-së, duke folur në një intervistë për radion Deutsche Welle, tërhoqi vëmendjen se mungesa e një dialogu mes palëve vijon që prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.

Sipas Tatarzinskas, vendi ynë duhet të fokusohet në përmbushjen e kritereve dhe kushteve, sepse kjo është rruga e vetme e integrimit.

“Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj se është koha për t'u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë”, theksoi Tatarzinska.

Kryediplomatja polake në Tiranë theksoi se shanset që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për ne BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve.

“Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptarë dhe të qeverisë”, tha ambasadorja.

Ndërkohë, rreth zgjedhjeve lokale të 8 majit, ambasadorja u shpreh se ende nuk ka një raport final nga OSBE/ODIHR-i, por nga raportet paraprake e qëndrimet e qarta të muajit të kaluar të baroneshës Ashton dhe komisionerit Fyle, është shprehur shqetësimi për frymën kontraverse dhe të polarizuar që është mbajtur ndaj vendimeve që janë marrë nga KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë.

“Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri”, tha ambasadorja e Polonisë, Irean Tatarzinska. /Start/

                                                                                             2011-08-03 11:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›