E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Onufri 2010”, nis nesër edicioni i 17-të

Janë 27 artistë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të cilët u përzgjodhën për ekspozim në bazë të konceptit kuratorial me titull: “Unë jam ARTI-st”. Përzgjedhja e veprave pasqyron zhvillimin e artit bashkëkohor nga artistët shqiptarë dhe u krye në bazë të njohjes dhe vlerësimit të krijimtarisë së artistëve. Sipas kuratores së “Onufri 2010”, Suzana Varvarica Kuka, në këtë ekspozitë do të njihemi me vepra që transmetojnë veprimtari të ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes së artistit gjatë procesit të formimit dhe të ekzekutimit të veprës.

Ajo thotë se punët e “Onufri 2010” transmetojnë në figura çështje që ceken në konceptin kuratorial dhe disa prej tipareve të fizionomisë së artit dhe të jetës problematike shqiptare. Gjithashtu, do të dallojmë kahun e identitetit të zhvillimit të artistit të ri shqiptar. Ai tenton, si prodhues i veprës së artit, të tregojë se vetë është një produkt njerëzor që nis tek edukimi akademik, brumoset gjatë përshkimit të rrugës konceptuale dhe është tentues për të lënë shenja gjatë eksperiencave krijuese bashkëkohore. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 3 shkurt 2011.

Artistët pjesëmarrës janë: Gazmend Leka, Andi Hila, Edmond Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjergji Shoshi, Ledia Konstandini, Heldi Pema, Endri Dani, Gentian Gjikopulli, Matilda Odobashi, Genti Korini, Alketa Ramaj, Oriana Kamberi, Artan Draçini, Sidi Kanani, Nikolin Bujari, Rrezart Galica-Giqi, Sabile Tmava-Billi, Driton Selmani, Sara Çapaliku, Anon, Një Njeri, Violana Murataj, Enkelejd Zonja, Greta Dhaskali Lami, Ilirjan Shima, Entela Kasemi.

                                                                                             2010-12-23 16:20
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›