E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rruga jeshile përballë aleancës së plehut”

Edhe në mbledhjen e sotme, Berisha u përqendrua tek kjo temë, duke premtuar gjithashtu rritjen e autonomisë për pushtetin vendor. Kryeministri tha se qeveria do të ndërmarrë masa të fuqishme për zgjidhjen e këtij problemi, pasi është abuzuar me këtë autonomi.

“Këto plehra nuk janë thjesht letra që hedhin qytetarët, edhe pse çdo njeri ka përgjegjësinë e vet, por këto janë plehra që i depozitojnë në mënyrën më të papërgjegjshme, institucionet shtetërore, bashkitë e komunat e vendit. Ndaj ne duhet të ndalemi në këtë problem në mënyrë shumë të vendosur, sepse situata është emergjente”, u shpreh Kryeministri.

Për t’i dhënë përgjigje këtij problemi në tërësi, Berisha kërkoi nga Inspektorati i Mjedisit  ndalimin e çdo depozitimi të plehrave në bregun e lumit Shkumbin; vendosjen e sanksioneve më të rrepta ndaj shkeljes së këtij rregulli; sistemimin me përparësi të madhe, nga Ministria e Punëve Publike e Transportit dhe ajo e Mjedisit të landfill-i ekzistues të Rrogozhinës; miratimin deri në 15 janar 2012 nga bashkitë e Kavajës, Lushnjës dhe komunat e Golemit, Synej, Gosës, Tërbufit dhe Dushkut, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Mjedisit, të vendeve të reja të depozitimit të mbetjeve të ngurta. 

 Berisha gjeti rastin të sulmonte indirekt edhe presidentin e vendit, Bamir Topi, i cili ktheu pak ditë më parë ligjin për përpunimin e mbetjeve.

“Qeveria ka kohë që merret periodikisht me këtë problem dhe do të merret në mënyrën më intensive, do të përcaktohen të gjitha rregullat për përgjegjësitë, sepse ligjet tona për mjedisin janë shumë të mira, janë ndër ligjet më të avancuara, të standardeve më të mira. Le të thotë çfarë të dojë aleanca e “plehut”, apo e antiglobalëve, por kjo qeveri ka pasur dhe do të ketë përparësi absolute mbrojtjen e mjedisit dhe i garantoj mjedisorët se unë jam njëri prej tyre, por jo  antiglobal. Në bindjen time më të thellë, mjedisi është jeta dhe nuk ka imperativ më të madh, sesa mbrojtja dhe zhvillimi i tij. Ndaj duhet të shënojmë ndryshime urgjente. Ajo që u bë me mbetjet metalike, me makinat, do të vazhdojë. Vendit do t’ia kthejmë fytyrën pa plehra”, nënvizoi kreu i qeverisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-20 16:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›