E Shtunë, 31 Tetor 2026

92-vjetori i Tiranes kryeqytet

Më rastin e 92-vjetorit të vendosjes së Tiranës si kryeqytet të shqiptarëve, vendim ky i marrë në punimet e Kongresit të Lushnjes më 23 janar të 1920-s, bashkia e kryeqytetit organizoi një ceremoni ku merrnin pjesë politikanë, historianë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të vendosur në vendin tonë.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i bashkisë, Lulzim Basha. Ai foli për objektivin e administratës së tij për të shndërruar, sic tha ai, kryeqytetin në një kryeqytet të vërtetë europian.

Më pas fjalën e rastit e mbajti kryeministri Berisha. Kryeministri bëri një rezyme të shkurtër të historikut të vendosjes së Tiranës kryeqytet duke e quajtur vendimin e kongresit si një ndër vendimet më të mencura të burrave shqiptarë.

“Dita e lindjes së kryeqytetit tonë, kryeqytetit të cdo shqiptari është një nga datat më të mëdha të historisë dhe përpjekjeve tona për ndërtimin e shtetit modern, përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Përzgjedhja e Tiranës, për kryeqytet ishte një ndër aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të nderuar të ardhmen e tyre si një komb i lirë, 92-vjet më parë, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të zgjedhur, morën një nga vendimet më të mencura në tërë historinë tonë, vendimin për të bërë Tiranën kryeqytet të Shqipërisë, të shqiptarëve. Cilido që lexon Sami Frashërin do të gjejë se ky profet tokësor i shqiptarëve në përshkrimin e kryeqytetit të kombit kishte parashikuar një qytet i cili në të gjitha trojet e vendit, nuk mund të ishte tjetër përvecse Tirana, me të gjitha karakteristikat e saj”, deklaroi Berisha.

Ceremonia vijoi me fjalën e historianëve dhe studiuesve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›