950 vjetori i Dioqezës së Sapës, një stacion i ri për mijëvjeçarët që vijnë
Kronika e Meshës Solemne të 950 vjetorit të themelimit të Dioqezës së Lashtë të Sapës
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në Meshën Solemne të Jubileut të 950 vjetorit të themelimit të Dioqezës së Lashtë shqiptare të Sapës, (1062-2012), e cila u mbajt në Katedralen “E Lumja Nënë Tereza” në Vaun e Dejës, në Shkodër. Në Meshën, pjesë e kremtimeve treditore për nder të këtij Jubileu, ishin të pranishëm personalitete të larta politike të vendit si Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra e deputetë, përfaqësues të Lartë të Kishës katolike, Delegati Papnor, Kardinali Santos Abril y Castelló, Nunci Apostolik i Shqipërisë, Imzot Ramiro Moliner Igles, Ipeshkvi i Sapes Imzot Avgustimi, përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike, drejtues e përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe shumë besimtarë katolikë të Shkodrës dhe zonave përreth. Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mesazhin frymëzues të Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti i XVI, të përcjellë nga i dërguari personal i tij në këtë ngjarje jubilare, Kardinali Santos Abril y Castelló. Kryeministri tha se gjatë këtyre 100 viteve, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shenjtë, aleatin më të çmuar dhe më besnik, si dhe mbështetësin e tyre në kohërat më të vështira. Duke e vlerësuar 950 vjetorin e Dioqezës së Sapës, si një periudhë e rëndësishme përpjekjesh për dritë dhe frymëzim me vlera të shenjta njerëzore dhe hyjnore, Kryeministri theksoi se këto 950 vjet janë kontribut thelbësor në mbrojtjen e dinjitetit dhe kulturës së kombit shqiptar. Kryeministri solli në kujtesë figura të shquara të udhëheqësve shpirtërorë katolikë, por edhe të besimeve të tjera, të cilët me guxim, kurajë dhe shumë atdhedashuri lanë gjurmë të pashlyera në 100 vitet e Shqipërisë shtet.
950 vjetori i Dioqezës së Sapës, një stacion i ri për mijëvjeçarët që vijnë
“Në këto 100 vjet, shqiptarët kanë pasur në Selinë e Shenjtë, aleatin e tyre më të çmuar, më besnik, e kanë pasur atë në mbështetje të tyre, në kohërat më të vështira, histori bashkëpunimi kjo, që daton në shekuj e mijëvjeçarë”
Nga Sali Berisha *
Eminenca Juaj, Kardinal Santos, i dërguar personal i Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti i 16 në këtë ngjarje të madhe në këtë ditëlindje të veçantë të Dioqezës së Sapës, por një ngjarje të madhe historike për mbarë kombin shqiptar,
Shkëlqesia juaj, Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Igles,
Shkëlqesia juaj, Ipeshkv, udhëheqës i Dioqezës së Sapës, Imzot Avgustini,
Të nderuar udhëheqës së dioqezave dhe famullive të vendit,
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Vaut të Dejës,
Së pari siç e do tradita le të shprehim ne mirënjohjen tonë më të thellë ndaj mikut tonë të dërguarit personal të Papës Benedikti XVI, për mesazhin e shkëlqyer, frymëzues që solli nga Ati i Shenjtë, në këtë ngjarje madhore për dioqezën e Sapës dhe për të gjithë shqiptarët.
Le të shprehim gjithashtu një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë, Vatikanit, në këtë 100 vjetor. Në këto 100 vjet, shqiptarët kanë pasur në Selinë e Shenjtë, aleatin e tyre më të çmuar, më besnik, e kanë pasur atë në mbështetje të tyre, në kohërat më të vështira, histori bashkëpunimi kjo, që daton në shekuj e mijëvjeçarë.
Sot ne festojmë së bashku 950 vjetorin e kësaj Dioqeze. Janë 950 vjet përpjekje të mëdha për dritë, për frymëzim me vlera të shenjta njerëzore dhe hyjnore, por janë 950 vjet kontribut thelbësor në mbrojtjen e dinjitetit tonë kombëtar, janë 950 vjet kontribut thelbësor në kulturën e këtij kombi.
Nuk mund të mos theksojmë këtu, se famullitarët të famullive të kësaj Dioqeze ishin dhe burrat më mendje ndritur të kombit tonë, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjecovi dhe shumë e shumë të tjerë. Udhëheqësit shpirtëror katolike por edhe të besimeve të tjera, gjatë këtij 100 vjetori kanë kaluar kalvare dhe vështirësitë më të jashtëzakonshme, por vinë sot më të fuqishëm, më të vendosur se kurë për të udhëhequr shqiptarët me mësimet e Zotit.
Ne festojmë 100 vjetorin, por ato vite historike jo të pakët ishin Ipeshkvët e këtij vendit, të cilët bënë gjithçka për pavarësinë dhe njohjen e Shqipërisë. Ata kryesuan delegacione dhe konferenca ndërkombëtare, patën audienca historike më Atin e Shenjtë në Vatikan, bënë avokatinë më të shkëlqyer të së drejtës së shqiptarëve në Senatet dhe Kongreset e vendeve më të fuqishme të botës. Ata njohën gjatë regjimit komunist kalvarin më të egër që Kisha dhe besimet kishin njohur në histori, por në 20 vjet janë ngritur si kolosë dhe kanë ndërtuar me përkushtim të jashtëzakonshëm infrastrukturën shpirtërore të kombit dhe jam i bindur se ky 950 vjetor në të cilin vijnë të pamposhtur në besimin e madh shënon një stacion të ri për mijëvjeçarët që vijnë.
Mënyra e nderimit të këtij 950 vjetori, mënyrë dinjitoze është kjo që ne të mblidhemi këtu, por mendoj se ne shenjë nderimit të tij, të vendosim ta ndërtojmë së bashku me qeverinë, bashkinë, famullinë, Kishën e Shën Mërisë. Ajo ishte monumenti më i vjetër i besimit të krishterë shqiptarë. Në një akt barbar të vërtetë ajo pësoi një fat të tmerrshëm, afresket e saj, muret, ikonat u bënë pluhur e dhé për tu varrosur në Digën e Hidrocentralit. Le të vendosim ne ta ndërtojmë atë po aq të bukur sa ç’ishte, në mënyrë që tua lemë brezave që vijnë në shekuj e mijëvjeçarë si një nga trashëgimitë më të shkëlqyera.
Do ta mbyll fjalën time, duke theksuar një moment tjetër, ndofta unik, një trashëgimi tjetër më unike, më të shkëlqyer tuajën të Dioqezave të vendit, të besimeve të vendit, tolerancën dhe respektin e palëkundur për besimin e tjetrit. Viti që vjen është një vit i madh për mbarë njerëzimin.
1700 vjet më parë Perandori Kostandin me bashkërendorin Vicinius dekretuan në Milano lirinë e besimit fetar. Ky burrë i madh, ndër me të mëdhenjtë e te gjitha kohërave vendosi të dekretojë respektin e besimit ndaj tjetrit. Të dy ata ishin ilirë dhe shumë herë e pyes veten, ndofta Zoti ka shkruar në qeniet tona pjesë të atij Edikti dhe ka bërë që katolikët shqiptarë të jenë katolikët më të mirë të planetit, sepse nuk ka katolik më të mirë, se sa ata që respektojnë besimin e tjetrit, ka bërë që myslimanët shqiptarë të jenë myslimanët më të mirë të planetit sepse nuk ka mysliman më të mirë se sa ata që respektojnë besimin e tjetrit, ortodoksit shqiptarë të jenë ortodoksit më të mirë të planetit sepse nuk ka ortodoks më të mirë se sa ata që respektojnë besimin e tjetrit.
Edhe njëherë gëzuar!
* Fjala e Kryeministrit në Meshën Solemne të Jubileut të 950 vjetorit të themelimit të Dioqezës së Lashtë shqiptare të Sapës