E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e meriton statusin?

30-09-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Kjo pyetje, nuk kish pse bëhej, mor po hiç, nëse më 17 shtator 2012, gjatë çeljes në Bruksel, të ekspozitës “Euro-Albania Contakts”, mbështetur nga Partia Socialiste, kryetari i saj të mos thoshte që, “...shqiptarët, qytetarët shqiptarë, pavarësisht nëse janë të majtë ose të djathtë, nuk meritojnë të ndëshkohen për të tretën herë radhazi për shkak të keqqeverisjes …”.
Pyetja vjen e drejtpërdrejtë: kush e meritojnë statusin?
Të thuash se, shqiptarët e meritojnë statusin, është si të thuhet që, dielli në Lindje lind dhe perëndon në Perëndim. Këtë  thjeshtëzim të njohjes absolute, po ta marrësh si naivitet, mund ta gjykosh dy sojesh: foshnja naive është e natyrshme, naiviteti  tek i rrituri quhet papjekuri. Te një deklarim si ky, nuk fle as njëri  e as tjetri. Thënia e kryetarit të PS, në Bruksel, që, shqiptarët e meritojnë statusin po qeverisja jo, përbën  dinakëri politike, enkas për të qenë i mirë me shqiptarët këndej dhe për t’u sjellë i mirë me ndërkombëtarët andej. Por, boll në emër të popullit, sepse populli këtu ka qenë, këtu është, dhe gjatë 100 vjetëve të fundit, ka përballuar aq shumë sa që, politikat e majta i mbeten atij borxhliet shekullore më të mëdha.
Në paarsyen për të shtjelluar, pse shqiptarët e meritojnë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, le të përqasim përballë popullit, faktorët e tjerë përgjegjës, në rrugën drejt Brukselit. Dhe, ai që e meriton shpërblimin e madh, për një përgjigje pozitive të mundshme, më 10 tetor 2012, është vetë Bashkimi Europian, për mbështetjen  gjigande politike, ekonomike e teknike, për kapërcimin e pengesave, disa herë deri absurde, për durimin dhe monitorimin e veçantë, për taktikat shtrëngo e liro, për nxitjen e qortimet, në strategjinë afatgjate të zgjerimit, për t’i anëtarësuar vendet veç e veç, atëherë kur secili  t’i ketë përmbushur kushtet. Shqipëria e meriton statusin edhe si shpërblim i gjithë investimit të gjithfarshëm që ka kryer Bashkimi Europian për shqiptarët.
Janë vetëshquar e dëgjuar zëra të qartë, të drejtpërdrejtë  e të tërthortë, m’u nga Tirana që, Shqipërisë të mos i jepet statusi i vendit kandidat, për shkak të keqqeverisjes. Kjo nuk është diçka e re, sepse e njëjta gjë u tha pak vite më parë, që vendi ynë të mos pranohej në NATO; pak më pas u tha që të mos hiqeshin vizat për shqiptarët, sepse vendet e Bashkimit Europian do të mësyheshin nga një milion emigrantë të tjerë; më vonë u tha që Shqipërisë të mos i pranohej kërkesa e shpejtuar për marrjen e statusit; dhe dy vjet radhazi u tha që qeveria nuk po i përmbush 12 kushtet për në BE e të mos pranohet; edhe përsëtreti u tha prerë që, “…qeveria nuk e meriton”. Ka një kundërthënie të jashtëzakonshme mes asaj që, shqiptarët e meritokan ndërsa qeveria jo. Por, shpërblimin e marrjes së statusit, pas shqiptarëve, pas Bashkimit Europian, ajo që e meriton për punën e madhe të kryer  është qeverisja e devizës së integrimit, e cila ka kryer reforma të mëdha politike, ekonomike, ligjore, arsimore e kulturore. Shqiptarët  i shohin këto me sytë e tyre dhe nga afër; ndërkombëtarët i gjykojnë dhe i vlerësojnë me objektivitet; ndërsa opozita e majtë  i vështron reformat me syze aq të errëta sa që, le të themi, përshembull, po të kishte mënyrë tjetër  udhëtimi, ca opozitarë as do t’i shihnin me sy rrugët e panumërta moderne që e kanë bërë Shqipërinë e vogël të ngjajë edhe më e vockël; po të kishte mënyrë tjetër ndriçimi, nuk do të përdornin e as do ta zinin ngoje strategjinë energjetike, siç opozita nuk e përmend asnjëherë për mirë. Në këto  shtatë vjet, koalicioni qeverisës  ka mundur të arrijë caqe të jashtëzakonshme në të mirë të vendit, të cilat janë  bërë pjesë e jetës dhe e historisë, ndërsa opozita e pushtuar nga ethet - pushtet me çdo kusht - humbi mundësinë të rreshtohej si një aksionere e barabartë.
Edhe pse me një nisje të shpejtësisë së lartë, qeverisja nuk arriti ta bënte Shqipërinë vend kandidat të BE, për dy vjet radhazi dhe, në vitin e tretë, shqiptarët gjenden në pritje, le të themi në një farë “ankthi”, nëse përgjigja do të jetë “po” apo prapë “jo”. Për t’iu avitur të vërtetës së thellë, ajo që e vuan për keq marrjen e statusit të vendit kandidat, është një grup nga opozita e majtë dhe ca “të pavarur”. Cakun e tashëm, ata kanë dashur ta shtyjnë përtej zgjedhjeve të pritshme, për ta përdorur një herë si dështim të qeverisjes dhe pastaj, nëse do të vinin në pushtet, për ta thënë si sukses të vetin. Opozita e majtë vuan rëndë nga sindromi i xhelozisë politike, tashmë e kthyer në patologji, nga që:  përveç se e djathta u priu ndryshimeve  të mëdha demokratike, pranimi në Këshillin e Europës ndodhi kur në pushtet ishte po e ajo; vendi u pranua në NATO kur qeveriste e djatha në koalicionin e integrimit; heqja e vizave ndodhi nën qeverisjen e djathtë në koalicion; marrjen e statusit të vendit kandidat, e majta e pengoi dy vite radhazi. Në vitet kur Shqipëria zotëron pjekuri politike për arritje më të mëdha, strategjia e opozitës u bë bllokimi, vetëm bllokimi, bllokimi i përhershëm dhe i llojllojshëm, menjëherë  pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe për katër vjet pandërprerë. Ajo e shndërroi bllokimin në model politik opozitar, e kthyen në precedent politik të rrezikshëm, për mundësi përdorjeje nga çdo forcë politike kur të gjendet në opozitë. Bashkimi Europian është përpjekur të nxisë zhvillimin e kulturës së dialogut në vend të strategjisë së bllokimit. Kur ka parë që pakica nuk i është përgjigjur thirrjeve të tij dhe kompromiseve të shumicës, Bashkimi Europian nuk e penalizoi vendin dhe qeverisjen, por e anëtarësoi Shqipërinë në NATO, i hoqi vizat, e pranoi kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat. Dështimi dy herë radhazi në marrjen e statusit, erdhi vetëm për shkak të bllokimit që e majta  bëri  me mospjesëmarrje dhe me mosvotimin e disa ligjeve bazë. Në vitin e tretë, të mundësisë për statusin e vendit kandidat, Brukseli mund dhe duhet të marrë një vendim, edhe për t’i shpërblyer shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë, si një popull që ka bërë aq shumë përpjekje e sakrifica, për t’iu bashkuar familjes europiane, por edhe për të ndëshkuar kulturën e bllokimit, e rrënjosur gjatë katër vjetëve te opozita. Ky precedent i mbrapshtë duhet zhbërë, për të mos u kthyer në model politik opozitar, pavarësisht kush  gjendet në pushtet a në opozitë. Marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte edhe si një ndëshkim ndaj bllokimit si  politikë. Kjo është e domosdoshme të ndodhë. Dhe, nëse ndodh, siç edhe pritet,  arritjen historike për meritë të Shqipërisë, të popullit dhe qeverisë së tij, të  mos e nxjerrim jashtë kontekstit të vlerësimit të njëmendtë: rroftë edhe trysnia euro-amerikane!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›