A do e ndalë kush Bashën, që të mos abuzojë me të dhënat personale të shqiptarëve?
Dy vjet më parë, TemA nxiti një debat për dhunimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë nga kandidati i mazhorancës për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha.
Asokohe ai dinte numrat e telefonave, por edhe të dhëna të tjera si ditëlindjet e qytetarëve shqiptarë, pasi u dërgonte mesazhe.
Por Basha vazhdon të përdorë këtë bazë të dhënash, që e ka siguruar ilegalisht, për të bërë edhe tani fushatë, kur pretendon të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike.
Basha vazhdon të dërgojë mesazhe, ndërkohë që një skandal i tillë në një vend normal do kishte shkaktuar furtunë të vërtetë.
I vetmi që e ka denoncuar një gjë të tillë është deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, që thotë se dikush duhet ta ndalë Bashën.
A do ta ndalë kush Lulëzim Bashën në këtë abuzim banal?!
A ka institucione në këtë vend?
Po pyes për institucione që duhet të mbrojnë të dhënat personale të kujtdo. Ky pushtetar abuziv po përdor prej dy vitesh të dhënat personale të qytetarëve për qëllime të tij personale, politike dhe elektorale.
Duhet ndalur, duhet detyruar të dorëzojë të gjitha të dhënat për numrat e telefonit, emrat e mbiemrat, ditën e lindjes e vitin e lindjes së çdo qytetari të Tiranës. Duhet ndëshkuar për gjithë këtë abuzim skandaloz, shprehet Braçe në FB./ep