E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ftohet Jahjaga në Samitin e Ohrit?

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të jetë nikoqir i Samitit të 16-të të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJ), që do të mbahet më 1 qershor në Ohër.

Nga kabineti i Presidentit Ivanov, deri tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga apo Kryeministrit Hashim Thaçi.

Ndërsa, sipas Agjencisë INA është konfirmuar prania e Presidentit serb, Tomislav Nikolic dhe Kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diplomatit serb, Vuk Jeremic. Më herët është raportuar se në këtë samit është e ftuar edhe Kosova.

Në këtë samit në qendër të vëmendjes do të jenë temat për bashkëpunim rajonal dhe dialog për partneritet dhe fqinjësi të mirë në Europën Juglindore, por edhe temat mbi zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat si dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike.

Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidenti i Bullgarisë Rosen Plevneliev, Presidenti kroat Ivo Josipovic, Presidenti rumun Trajan Basesku, Presidenti serb Tomislav Nikolic, Presidenti slloven Borut Pahor, Presidenti i Këshillit të Bosnjë- Hercegovinës Nebojsha Radmanovic si dhe Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu. Në kuadër të këtij samiti janë ftuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë të OKB-së, Bashkimit Europian, etj.

Ndërkohë, mospjesëmarrjen në këtë samit deri tani e ka paralajmëruar presidenti grek Karolos Papulas. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›