E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

A do të kandidojë për Tiranën? Tabaku: Nuk ka deputet që ka bërë më shumë opozitë se unë kundër Veliajt dhe PS

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka bërë me dije se nuk do të futet në garën e Primareve për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit. Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, ndonëse pranoi se ka bërë opozitë kundër PD dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion veliaj, më shumë se çdo deputet, theksoi se nuk ka asnjë ambicie për të kandiduar për Tiranën.

“Nuk kam asnjë ambicie të kandidoj për Tiranën. Po thosha që është e sigurt se kam vetëm një kundërshtar, PS dhe Erion Veliaj. Çështja është që ne duhet të jemi aty ku sot fatkeqësisht nuk jemi. Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi”, u shpreh Tabaku.

Kujtojmë se deri më tani, në garë për primaret e PD që do të zhvillohen për zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë Tiranë, kanë zyrtarizuar kandidaturën Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Bisedimet duken se kanë dështuar, përderisa zoti Berisha vazhdon me primaret dhe nga ana tjetër ka kandidatë.

Jorida Tabaku: Ju prisni që t’ju them që ata njerëz që kanë mbështetur Joridën nuk janë demokratë të mirë, po demokratë të mirë janë vetëm këta njerëzit që i njeh vetëm njëra palë e partisë? Kam biseduar në Berat me disa qytetarë dhe më kanë thënë se duan të japin kontributin, pavarësisht se mendojnë ndryshe sot. Mendojmë ndryshe. Nuk na pëlqen mënyra sesi gjërat po zhvillohen dhe pak rëndësi ka se cilës anë i përket. Nuk pranohesh dot në PD pse mendon ndryshe? Unë refuzoj ta besoj që partia që unë jam aty që 16 vjeç, pse unë mendoj ndryshe apo pse disa njerëz më kanë mbështetur mua nuk do të marrin pjesë fare në votim, ndërkohë që prioritet do të ketë aleanca me një parti tjetër dhe jo bashkimi I demokratëve.

Elona Meço: Ju mund të bashkoheni përmes fraksionit.

Jorida Tabaku: Nuk kam për të të dhënë përgjigje për atë që ti je duke përpjekur që të marrësh përgjigje. Besoj që zoti Paloka dhe zoti Bardhi, të dy persona me eksperiencë, që e njohin PD, do të flasin përpara se unë të flas, a kanë rezultuar me sukses apo jo gjërat që po diskutojnë.

Elona Meço: Shpresoj që të dalë diçka, por nga sesi e njoh unë PD vendimet në PD nuk i merr zoti Paloka…Zoti Berisha…

Jorida Tabaku: Për këtë ke të drejtë, nuk i merr zoti Paloka.

Elona Meço: Zoti Berisha ka bërë qartë se ai do të respektojë statutin e PD, prandaj them që zoti Paloka nuk i merr vendimet vetë, sepse i duhet të respektojë një statut. Dhe në statut janë primaret.

Jorida Tabaku: Edhe unë për statutin e PD po flas. Nuk kemi për t‘i zgjidhur dot çështjet të cilat nuk i zgjidhëm dot për një vit, por na intereson që sot të dalim me një alternativë përballë kundërshtarit, PS. Mënyra më e mirë sesi ta ofrojmë alternativën është me të gjithë njerëzit bashkë, me të gjithë qytetarët bashkë dhe përtej atyre që e mbështesin sot PD dhe çdo parti tjetër në opozitë. Të jemi ne forca që jep alternativë.

Elona Meço: Nëse bisedimet për daljen me një kandidat dështojnë, çfarë duhet të bëjë grupimi juaj, që posedon dhe emrin dhe vulën e PD? 

Jorida Tabaku: Nuk flas dot me “në rast se”.

Elona Meço: Por nuk ka asnjë konkluzion deri tani

Jorida Tabaku: Ky është një informacion që e keni ju, por unë nuk e kam, por unë di që sot, ndërkohë qe ne bisedojmë, të dy përfaqësuesit janë duke diskutuar. Nuk besoj që ka patur në Tiranë, një deputet, me modesti e them këtë, që ka bërë më shumë opozitë kundër Erion Veliajt, kundër qeverisjes së PS, sesa kam bërë unë.

Elona Meço: Do të kandidoni për Tiranën?

Jorida Tabaku: Nuk kam asnjë ambicie të kandidoj për Tiranën. Po thosha që është e sigurt se kam vetëm një kundërshtar, PS dhe Erion Veliaj. Çështja është që ne duhet të jemi aty ku sot fatkeqësisht nuk jemi. Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›