BE kundër pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale? Tabaku: Legalizohen paratë e krimit! Ja alternativa e opozitës

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, është shprehur kundër dy nismave të qeverisë, pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale, nisma për të cilat është shprehur me rezerva edhe BE.
Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, Tabaku tha se Shqipëria është në listën e gri të pastrimit të parave dhe se ajo që duhet bërë është të miratohen ligje për të dalë nga kjo listë.
Ndalur te pasaportat e arta, Tabaku theksoi se dëmi do të ishte i parikuperueshëm, teksa solli shembullin e Maltës, ku tha se vendi po kritikohet gjerësisht pse e ka këtë ligj.
Pjesë nga intervista:
Elona Meço: Ndërkohë që është në procesin e screening, qeveria ka në shqyrtim projektin e pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale. Konkretisht, çfarë dëmi shkaktojnë këto 2 nisma në raport me BE?
Jorida Tabaku: Jam përpjekur që në procesin e integrimit të jap mesazhe pozitive në nivelin e rolit të parlamentit dhe të rolit të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim që PD ka qenë promotore kryesore e reformave për procesin e integrimit dhe të gjitha arritjet më të mëdha janë bërë nën drejtimin e PD. Nuk është habi që në 9 vitet e fundit, ne kemi ngecur në këtë proces dhe jam e sigurt që edhe përfundimi i negociatave, procesi i anëtarësimit do të kryhet në drejtimin e PD.
Elona Meço: Kaq vonë?
Jorida Tabaku: PD do të vijë më shpejt se ç’e mendoni ju në qeverisje. Dhe për këtë arsye, po thosha, jam përpjekur të jap mesazhe pozitive, pra jo vetëm të sulmohet. Duhet të japim alternativë. Unë po përpiqem që alternativën ta jap përmes procesit të integrimit dhe çdo gjë, çdo kritikë që bëj, e bëj edhe në kuadrin sesi do ta bënim ne ndryshe, si do ta bënim ne më mirë. E sigurt është që ne asnjëherë nuk do të kishim diskutuar ligje si pasaportat e arta apo amnistia fiskale në vitin e parë të hapjes së negociatave. PD në vitin 2011 ka patur një propozim për amnistinë fiskale. Propozimi ynë është totalisht i ndryshëm nga ai që po ndodh tani, ku përfshihet dhe amnistimi i krimeve që lidhen me korrupsionin dhe me krimin e organizuar.
Elona Meço: Kryeministri thotë të kundërtën në fakt, që ligji ndihmon emigrantët
Jorida Tabaku: Nëse do të ndihmonte emigrantët, do të ishim të parët që do ta votonim. Është normale që pas 30 viteve tranzicion të ketë një amnisti. Po të shohësh të ardhurat nga emigrantët, të paktën 5 vitet e fundit, janë në rënie. Emigrantët e kanë ezauruar kurbën e investimit të tyre këtu. Për t’iu rikthyer komenteve negative për nismat. Dëmi është i parikuperueshëm, sepse vende si Malta, që e kanë ligjin e pasaportave të arta, po kritikohen gjerësisht pse e kanë këtë ligj. Standardet e BE nuk janë për shitje. Shqipëria nuk duhet të shkojë në drejtimin e miratimit me asnjërën nga nismat. Përsa i përket amnistisë fiskale jemi renditur në listën gri të pastrimit të parave. Na duhet të miratojmë një sërë ligjesh për të dalë nga kjo listë. Konsiderohemi si vend burim përsa i përket trafiqeve, konsiderohemi si vend që pastron para në dy industri të mëdha: në lojërat e fatit dhe në ndërtim. Të gjithë këto ndikojnë negativisht. Pse është BE kundra amnistisë fiskale? Së pari tërheq kapital kriminal dhe korruptiv, shkon kundër me dy kritere që duhet t‘i përmbushim: lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit. Së dyti, barazia para ligjit. Kur ti vendos gjoba 10 herë më të larta ndaj bizneseve që paguajnë normalisht tatimet dhe paralelisht miraton një ligj për amnistinë fiskale që stimulon ekonominë informale, këto nuk shkojnë në të njëjtin drejtim.
Elona Meço: Keni dijeni nëse qeveria është tërhequr për tyre, duke qenë se nuk ka asnjë zhvillim të ri?
Jorida Tabaku: Është fakt që nuk janë llogaritur në buxhetin e 2023. Të ardhurat nga këto 2 ligje nuk janë llogaritur, ndërkohë që janë llogaritur të ardhurat nga burime të tjera, por nuk di të të them, nëse është tërhequr. Di që po diskutohet një draft i ri, ku është ulur niveli, është ndryshuar norma e tatimit, ku thuhet se ka ndryshime, por askush nuk e ka parë. Kam mësuar që kësaj qeverie t’i zë besë vetëm kur lexoj diçka. Është shumë larg nga e thëna në të bërë, por sido që të jetë, përsa kohë ekziston komponenti i amnistisë penale, ky ligj nuk duhet fare të diskutohet.
/rtsh.al/