E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të na “gajasë” Roland Trebicka!



Roland Trebicka është ndër aktorët e rrallë në Teatrin Kombëtar, që po t’i veshin regjisorët petkun më dramatik në role, ai prapë do të shkaktonte të qeshura në publik. Pse ndodh kjo? Në media vetë aktori është shprehur se ky është një “faj” i regjisorëve që e kanë lënë vetëm tek komedia, ndërsa në premierën që pritet të shfaqet nesër mbrëma me regji të Milto Kutalit, aktori i “të qeshurës” në teatër është direkt në kostumin e tij prej komediani, që ja jep qysh tani në dorë suksesin premierës “Romancë dashurie” të dramaturgut italian Aldo De Benedetti. Ky është një produksion i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me “Egnatia Teatër”, ku interpretojnë aktorët Bujar Asqeriu, Anila Bisha, Roland Trebicka, Luljeta Hoxha. Shfaqja vjen me skenografi të Sabri Bashës, ndërsa muzika nga Albana Petrela. Vepra ka në qendër raportet familjare, ndërsa e gjithë situata e komedisë sjellë në vëmendje mbrojtjen me kusht të institucionit themeltare të shoqërisë, familjen. “Për familjen duhet të kontribuojmë të gjithë që ta mbrojmë me çdo çmim. Nëse e ruajmë atë, kemi ruajtur shoqërinë, kemi krijuar një precedent të mirë për të ardhmen e gjeneratave që vijnë më pas. Mendoj se ky realitet special që jep teatri në një orë e gjysmë shfaqje, do të jetë pjesë e tërësisë së realiteteve tona të përjetuara në vazhdimësinë e jetës”, - shprehet regjisori Milto Kutali, dje në një konferencë për shtyp.

Sipas regjisorit, në vepër paraqiten plot situata humoristike, që jo vetëm bëjnë për të qeshur, apo të gajasin publikun, por edhe të luajnë një rol provokues nëpërmjet ngacmimit të shpirtit aventurier të protagonistëve, të cilët prodhojnë realitete që mund të cenojë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes. “Ky realitet që është një pjesë e realitetit të situatës ku edhe humori buron shumë natyrshëm, pra është shumë organik e si i tillë ai provokon ndoshta jo të qeshurën, apo të gajasurën, por provokon një të qeshur që prapa saj ka edhe një bisht, sepse secili prej nesh si protagonist mua më duket se shkakton faktorin tjetër, që ka të bëjë me masën që duhet të marrë teatri për t’u konvertuar jo vetëm në një institucion atraktiv, por njëkohësisht edhe edukues”, - thotë regjisori, duke theksuar se personazhet e mishëruara në vepër janë shkëputur nga pjesë të realitetit modern të ditëve të sotme. Regjisori e cilëson këtë vepër më shumë të jetuar, sesa të shkruar e zeza mbi të bardhë, duke thënë se “bëhet fjalë për një realitet të jetuar sesa të krijuar, por përqasja midis të vërtetës njerëzore dhe asaj artistike, ka edhe artin e kreacionit. Jemi përpjekur që t’i qëndrojmë besnikë veprës dhe njëkohësisht të përqasemi me realitetet prezente në Shqipëri”. Motivi që ka shtyrë më së shumti për të trajtuar këtë vepër është përjetimi i aventurës njerëzore në një botë të qytetëruar, duke qenë se Kutali nuk e shikon realitetin shqiptar edhe aq të distancuar ndaj atij botëror. “Vepra tingëllon shumë thjesht dhe pikërisht këtu qëndron edhe e bukura e saj, një realitet që me thjeshtësisë e saj mendoj se do të bëjë për vetë publikun”, - shton ai. Ndonëse, dramaturgjia vjen e shkruar nga një autor italian, regjisori thekson se në shfaqje do të vihet e shqiptarizuar, por njëkohësisht edhe duke ruajtur origjinalitetin universal të saj. Për këtë, ai “u fal” meritat aktorëve, duke thënë se “nuk jemi munduar që të ndërtojmë fishekzjarr në këtë shfaqje, por është mbajtur në një trajtim të natyrshëm. Vetë kasti i aktorëve nuk janë përpjekur të punojnë në mënyrë individualiste këto figura, por edhe pse kemi të bëjmë me një kuartet dhome, jemi përpjekur të funksionojmë si një teatër odeon”. Komedia lirike siç e cilëson regjisori, është vënë fillimisht në skenën e Teatrit të Elbasanit. Kjo për arsye të mungesës së kushteve skenike, ku për dhjetë ditë teatri kombëtar u kthye në një terren për organizmin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit 2009. Ndërkohë, duke përfituar nga kjo situatë, regjisori tregon se një hapësirë e tillë është shfrytëzuar për të provuar nivelin e shfaqjes fillimisht në një skenë jashtë Tiranës. “Shfaqja është vënë në Elbasan, e cila pati një komunikim të mirë me audiencën dhe kjo më bën të jem garant edhe me përballjen që do të kem në Tiranë”, - thotë Kutali, duke shtuar se “kjo shfaqje vjen edhe si një thirrje publike e artit ndaj shoqërisë”. Kutali zbulon se kjo komedi shënon edhe provën e parë publike me aktorin Bujar Asqeriu, ndërsa me aktoren Anila Bishën thotë se lidhjet kanë qenë të vazhdueshme, madje që kur ata studionin në akademi, për të cilën ai thotë se “ka marrë përsipër një barrë sa të vështirë, aq edhe të bukur. Ka ardhur mirë tek dëshira ime për të qenë pak feministe dhe për ta goditur pak botën mashkullore”. Ndërkohë vetë aktorja e shikon pak të vështirë veshjen e këtij personazhi, pasi mban një qëndrim kundër “saj” në skenë. “Jam ndjerë mirë me këtë rol, por nuk jam shumë dakord në të gjitha pikat me personazhin. Janë disa momente që në jetë nuk do t’i bëja, e ndoshta këtu qëndron edhe vështirësia ime, megjithatë mendoj se ia kemi arritur të bëjmë atë që duhet. Edhe pse ju do të shikoni komedi për ne aktorët nuk ndodh kështu, ne nuk luajmë komedi, pasi ka momente që jemi edhe dramatikë. Humori nuk qëndron në batutat që ka pjesa, por në situatat që autori i ka vendosur”, - thotë Bisha. Po ashtu, një rol kryesor ka edhe aktori i “të qeshurës” Roland Trebicka, për të cilin regjisori shprehet se “kam disa bashkëpunime me Roland Trebickën, por në këtë shfaqje ky do të jetë bashkëpunimi më i dashur”. Ndërkohë protagonisti tjetër, aktori Bujar Asqeriu, e shikon rolin e tij si një mundësi të mirë për t’u argëtuar, sidomos nga pjesëmarrja e pjesës tjetër të aktorëve. “Në këtë shfaqje luaj me shumë kënaqësi sidomos në komedi, sepse së pari ne argëtohemi vetë dhe këtë kënaqësi përpiqemi t’ia përcjellim edhe publikut. Më pëlqen që të luaj komedi, aq më tepër nga komoditeti i madh që luaj me Roland Trebickën, një aktor i jashtëzakonshëm në këtë fushë, Anila që është një aktore që ka një freski dhe një femilitet të theksuar. Milto po ashtu, na i ka bërë shumë të kapshme gjërat. Them se kemi bërë një punë për t’u admiruar”, - thotë aktori Asqeriu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›