Një pallat një votë, një dash një pallat
Këto ditë dëgjuam për bëmën e radhës së Bashkisë së Tiranës, dhënien e një rruge me qira. Është hera e parë që e dëgjoj, që një rruge mund të jepet me qira. Kishim dëgjuar për tokë që jepet me qira, apartamente, makina, sende konsumi, e plot e plot gjëra të tjera, por jo rrugë. Nuk ngul këmbë që rrugët nuk mund të jepen me qira. Edhe mund të jepen. Ndoshta ato mund të jepen me qira për të shfrytëzuar hapësirat për parkim makinash me pagesë, sikur kryetari i bashkisë dëshironte para disa vjetësh të jepte me qira tërë rrugët e Tiranës. Një tjetër mundësi është që rruga të jepet me qira për vendosjen e reklamave, ose të jepet me qira për vendosjen e kioskave për shitjen e shtypit të përditshëm. Mundësi të tilla që rruga të përdoret edhe për ndonjë aktivitet sekondar mund të ketë plot. Por rruga për të cilën mësuam që është dhënë me qira nuk klasifikohet në asnjë nga këto raste. Disa kohë më parë u botua një renditje e çudive që kanë ngjarë në vende të ndryshme të botës. Maja e majës së çudive konsiderohej një ngjarje në Shqipëri, ku një ndërtues kishte ndërtuar një pallat në anë të trotuarit dhe një shtyllë neoni që ndodhej në trotuar e kishte futur midis ballkoneve nëpërmjet vrimave që kishte lënë në çdo ballkon. Por kjo marrëzi është asgjë po ta krahasosh me dhënien e rrugës me qira për të ndërtuar pallat. Është e paimagjinueshme, e padëgjuar, e pashembullt, unike në rruzull të dheut. Pasi i mbaruan të gjitha hapësirat e gjelbra, pasi rrafshuan çdo kopsht dhe çerdhe shtetërore në qendër dhe në periferi të Tiranës, pasi hëngrën të gjithë terrenet sportive dhe lulishtet, pasi zhdukën nga faqja e dheut të gjitha kinematë e Tiranës, pasi zhvatën çdo pronë private dhe shtetërore, pasi i vunë pallatet sup mbi sup, që po të bjerë tërmet ose zjarr të na rrafshojë të gjithëve, tani u ka ardhur radha rrugëve. Me papërgjegjshmëri po i gllabërojnë ato për të ndërtuar pallate. Për të ndërtuar pallate sipas parimit një pallat një votë, ose një dash një pallat. Sipas kësaj pafytyrësie nuk do jetë e largët dita kur bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mund të jepet me qira për të ndërtuar deshët pallate, duke dhënë fjalën e nderit, që katin e parë do ta bëjnë tunel për të ecur njerëzit dhe makinat. Nuk do të jetë e largët dita kur me lejet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, qyteti mund të kthehet në masiv katakombesh, në tunele si ato të Enverit për kohë lufte, ku ne do të ecim në tunel, shëtisim në tunel, hamë, pimë, flemë në tunel, të shkojmë në shkolle dhe në punë me tunel. Kjo grykësi duhet të ketë të ardhme, sepse në mbrojtje të pallatit të ndërtuar në rrugë u ngritën tërë deputetët e bllokut, Blendi, Sajmiri, Dashi, Gramozi, ambientalisti Bare. Të tërë ishin gati të binin theror në themele vetëm që të vazhdohet të ndërtohen pallate mbi rrugë si ai të cilit i është dhënë leja nga Bashkia e Tiranës. Ishin gati të martirizoheshin, sepse do ju vijë radha edhe deputetëve të tjerë të bllokut ose farefisnive të tyre të ndërtojnë pallate mbi rrugë dhe të fitojnë edhe ata ndonjë lekë, që ta kenë për kohë të keqe. Ku janë vallë tërë ata analistë, ambientalistë, shoqëri civile e shoqëri militare, që diskutojnë me pasion për zogj e prodhime bio, për metrat e ujit në mes të detit Jon, që na i mori greku, për pemët fatkeqe të bulevardit të Tiranës, mbi të cilat u ngjitën me zamkë posterat e 8 dhjetorit? Si nuk doli njëri nga këta të shprehë sado pak mërzitje, që një rrugë e Tiranës, e qytetit ku jetojmë dhe punojmë të gjithë ne, të majtë e të djathtë, është ngrënë, nuk ekziston, dhe vendin e saj e ka zënë babëzia që quhet “ndërtojmë pallate” dhe që po e ha pak e nga pak shoqërinë shqiptare. Ndihet i kërcënuar ai që ndërtoi pallatin mbi rrugë. I kërcënuar që nuk po e lejojmë dhe po i shkelim të drejtën e tij kushtetuese që të fitojë pangopësisht, deri në imagjinatën më të shfrenuar. Po ne more zotëri që po na merr ajrin, rrugën, lulishten, kinemanë, shkollën, që po na detyron të ecim në tunel si minj, si duhet të ndjehemi? Dymbëdhjetë vjet ka kryetari i Bashkisë së Tiranës që na gënjen se do të ndërtojë unazën e vogël, që do të ndërtojë një rrugë të vogël që të lehtësohet trafiku i madh i makinave dhe qytetarëve në qendër të Tiranës. Prej 12 vjetësh në atë vend ku duhet të ndërtohet kjo rrugë e vogël, janë ndërtuar me dhjetëra pallate me nga 10 e 15 kate. Jo rrugën nuk e ndërtove dhe as ke ndërmend ta ndërtosh, por e fshive nga faqja e dheut dhe e ktheve në pallat rrugën tjetër fqinje që kishte 100 vjet që shërbente si e tillë. Kjo është ndotja më e madhe që ti i ke hedhur Tiranës dhe banorëve të saj gjatë mandateve të tua si kryetar i Bashkisë. Është radha jonë që të mos heshtim, por të të hedhim ty në koshin e plehrave.