A e dinë shqiptarët ç’është Komuna e Parisit?
Në një takim në një qendër turistike me 10 veta, pesë studentë të shkollave jo me profil historik dhe pesë të tjerë profesionistë të ndryshëm, asnjëri nuk dinte saktësisht se ç’është Komuna e Parisit. Disa u përgjigjën se ishte një lagje turistike pariziane!
Në të vërtetë është simboli i antiparlamentarizmit. Ky është synimi i këtij shkrimi.
Në një libër nostalgjikes në frëngjisht, në ballinë shkruhej: Rroftë Komuna e Parisit: 1871 - 18 mars – 2011. 140-Vjetori i kryengritjes që e solli për herë të parë klasën punëtore në pushtet, shohim foton e Marksit dhe të Engelsit me këtë thënie nën një flamur të kuq: “Parimet e Komunës janë të përjetshme dhe të pathyeshme; ato do të paraqiten vazhdimisht gjer në çastin në të cilin klasa punëtore të ketë fituar lirinë e saj. Marks.
Komuna e Parisit (1871) ishte orvatja e parë e lëvizjes punëtore për krijimin e një shoqërie komuniste. Komunarët e vunë nën kontroll Parisin për dy muaj dhe luftuan kundër Prusisë dhe kundër qeverisë franceze. Për Marksin, Komuna e Parisit paraqiste shembullin e parë konkret të diktaturës së proletariatit. Në emër të ideologjisë së Marksit e të Leninit, Stalini kishte elaboruar teorinë marksiste-leniniste për ta shndërruar BRSS-në në një regjim totalitar të Sh. XX.
Libri i Prof. Marko Messerit për këtë subjekt është tepër i njohur në shoqëritë demokratike. Në vitin 1871 kur nodhën ngjarjet pushtetmarrëse në njërin nga të tetë departamentet e Parisit, Marksi tërheq vëmendjen për praktikën e terrorit jakobin, më shumë se 50 vjet më parë. Ai shkroi: “Ka një mjet të vetëm për të shkurtuar, thjeshtëzuar, përqendruar agoninë vrastare të shoqërisë së vjetër dhe të dhemburat e lindjes së përgjakshme të shoqërisë së re. Vetëm një mjet: terrori revolucionar. Këtë terror nxiste edhe Engelsi në atë kohë. Ai deklaronte se “lufta botërore do të zhdukë nga faqja e dheut jo vetëm klasat dhe dinastitë revolucionare. Në “Neue Rheinische Zeitung“, ai i hedh poshtë frazat sentimentale për vëllazërimin që ofroheshin nga “kombet më kundërrevolucionare të Europës” sepse revolucioni kërkon terrorizmin më të vendosur“. Marksi shtonte: “Ne s’duam t’ia dimë. Kur të vijë koha jonë, nuk do ta kursejmë terrorin.
Të dy së bashku në vitin 1850 nxjerrin në pah „masat terroriste”. Mund të përdoren të gjitha mjetet, qofshin edhe ato më imorale, për triumfin e revolucionit. Për Komunën e Parisit, thonë se ajo ka meritën “që përdori luftën proletare të klasave. Kjo nuk do të jetonte asnjë ditë në qoftë se nuk do të përdorte këtë kriter”.
Lenini: Në librin “Nga t’ia fillojmë” (1901), shkruan.“Në parim ne nuk kemi hequr dorë nga terrorizmi”. Në “Të dy taktikat e socialdemokracisë” (1905), flet për objektivat e terrorit të masës. “Të jemi të pamëshirshëm ndaj armiqve të lirisë”. Më 1907: “S’duhet të përmbahemi nga asnjë skrupull moral”. Për Komunën e Parisit , në vitin 1908, vë në dukje se “ajo nuk do të dështonte po të shkatërronte të gjithë armiqtë e saj. Në vitin 1917, në librin “Shteti dhe Revolucioni”, Lenini zhvillon idetë e Marksit dhe të Engelsit për Komunën e Parisit, duke këmbëngulur në atë se “Diktatura e proletariatit është e papajtueshme me parlamentarizmin”. Edi Rama, kumbara që i vuri emrin e Komunës së Parisit një lagjeje të tërë, duket se këtu e ka burimin që të marrë nëpër këmbë parlamentin shqiptar. Do të vijë koha që ai të përgjigjet për këtë sakrilegj që i ka bërë demokracisë dhe ai libri i tij “Refleksionet”, me ato ekstravagancat kinse antikomuniste, nuk mund t’i dalë në mbrojtje, meqë ai vetë e tërhoqi nga libraritë dhe e zhduku nga qarkullimi. Por si Haxhi Pishmani, pavarësisht se hoqi dorë për një qëndrim diametralisht të kundërt me atë të hallakaturin “Kurban”, prapë, kur i duhet vetëm sa ta përmendë në një rast, e quan “ Refleksionet e famshme”!
Sa për ata pseudo-historianë që fantastikojnë të indinjuar për atë “glorifikim” të atij apo të këtij sistemi shoqëror, le të merren, më mirë e të na japin një përgjigje nëse është apo jo simptomë e nostalgjisë së të kaluarës ajo “Komunë e Parisit”, një lagje e betonizuar me të ardhur nga të gjitha anët, për të pasur një suplement të majtë votasjellësish në favor të këtij antiparlamentari me vulë në ballë, tashmë.
Le të kujtojmë edhe çka thënë Lenini për Kishën: Erdhi koha bash tani që, në krahina të tëra të uritura, ku njerëzit hanë mish njeriu, dhe qindra kufoma mbushin trotuaret, se duhet të konfiskojmë pronat kishtare me një strategji sa më të ashpër. Priftërinjtë të dënohen me ndëshkimet më të skajshme”. Ai që kaloi edhe përmasat socialiste, ka qenë pikërisht Enver Hoxha. Drejtuesja e internacionales komuniste, Anxhelika Balabanov e quan cinike poshtërimin që Lenini u bënte reformistëve jobesnikë të Rusisë bolshevike, për të shkatërruar ndikimin që kishin në punëtorët.
Sa për Stalinin, as nuk është nevoja të shkruhet. Destalinizimi nuk u bë më kot. 100 milion viktima ka komunizmi, përkundrejt 25 milion viktimave të nazifashizmit.